Spiropali viziton katedrën e Albanologjisë, themeluar nga Martin Camaj: Lidhje e fortë midis Shqipërisë dhe Europës përmes dijes, diplomacisë dhe kulturës

Gjatë qëndrimit të saj në Mynih, Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, vizitoi katedrën e Albanologjisë në Universitetin Ludwig-Maximilian të Mynihut, ku u riafirmua një lidhje e fortë midis Shqipërisë dhe Europës përmes dijes dhe diplomacisë.
Spiropali u prit nga Zv. Presidentja e LMU-së për Humanitetet, Prof.dr. Carola Metzner-Nebelsick, dhe drejtuesja e katedrës, Prof. dr. Enkeleida Kapia, anëtarë të dekanatit, profesorë, studentë e alumni, me të cilët foli për rëndësinë historike, akademike dhe politike të kësaj katedre qysh prej themelimit të saj, pothuajse 60 vite më parë.
Katedra u themelua nën drejtimin e Prof. Dr. Martin Camaj, me mbështetjen e shtetit bavarez ndër dekada, dhe tashmë ka mbështetjen e Kryeministrit Rama dhe shtetit shqiptar.
Spiropali theksoi se “ka qenë edhe roli i padiskutueshëm i kësaj katedre në marrëdhëniet që Shqipëria ka pasur historikisht me Europën, botën politike dhe kulturore, puna e rëndësishme kërkimore-shkencore në të kaluarën deri sot, që e kanë shndërruar Albanologjinë në Mynih në një urë të qëndrueshme dijeje, dialogu dhe bashkëpunimi”.
“Kjo katedër ka qenë dhe mbetet një pikë referimi për studimin e gjuhës, historisë dhe identitetit shqiptar në hapësirën europiane, një dëshmi se rrugëtimi ynë europian është ndërtuar jo vetëm përmes politikës, por mbi themele të forta identitare, akademike e kulturore”, tha Spiropali.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.







