Naser Aliji do të operohet në Gjermani, stop 10-ditor për Bernard Berishën te Dinamo

Abissnet Superiore | 11 muaj më parë

Lajme të pakëndshme ka sjellë fundjava që shkoi për trajnerin e Dinamo City, Ilir Daja. Kreu i stolit blu do të humbasë për një kohë relativisht të gjatë mbrojtësin Naser Aliji, gjithashtu pjesë e Kombëtares shqiptare.

Alji do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale për pubalgjinë dhe sipas burimeve të Rtsh.al lojtari do të udhëtojë sot drejt Gjermanisë. Në këtë vend mbrojtësi do të kryejë ndërhyrjen kirurgjikale, që është parashikuar për ditën e enjte. Mbetet për t’u parë pastaj koha e riaftësimit, por e sigurt është se Aliji do të rikthehet në 2026-ën.

Dinamos do t’i mungojë të paktën për 10 ditë edhe sulmuesi anësor, Bernard Berisha. Ai pësoi një dëmtim muskulor që në fillim të ndeshjes kundër Elbasanit në kampionat dhe u detyrua të linte fushën e lojës.

Analizat e kryera një ditë më pas kanë treguar se bëhet fjalë për një tërheqje të gradës së parë dhe Berisha duhet të qëndrojë 10 ditë jashtë. Ai ka humbur kështu ndeshjen e fundjavës me Bylisin në Ballsh, por edhe derbin me Tiranën, që zhvillohet javën e ardhshme.

Te Dinamo City kohët e fundit kanë pasur probleme fizike edhe lojtarë të tjerë, si kapiteni Bruno Dita apo sulmuesi Saliou Guindo. Trajneri Daja shpreson që ndaj Bylisit të ketë të gatshëm të paktën njërin prej tyre.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme