NATO rishqyrton përfshirjen e saj në hapjen e Ngushticës së Hormuzit

NATO po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së veprimeve për të garantuar lirinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, nëse rruga ujore e bllokuar nuk çlirohet deri në fillim të korrikut.
Bloomberg raporton se ideja ka mbështetje nga disa vende anëtare, por konsensusi i nevojshëm ende nuk është arritur.
Vendimi pritet të diskutohet në takimin e udhëheqësve të Aleancës në Ankara më 7 dhe 8 korrik. Komandanti Suprem i Forcave Aleate për Evropën, Alexis Grinkevich, tha se “së pari përcaktohet drejtimi politik dhe më pas vijon planifikimi formal”, duke pranuar se po mendon seriozisht për këtë opsion.
Një ndërhyrje e tillë do të sinjalizonte një ndryshim të dukshëm në strategjinë e Aleancës ndaj konfliktit SHBA-Izrael-Iran, pasi deri më tani aleatët kanë insistuar se do të përfshihen vetëm pas përfundimit të luftës dhe nëse formohet një koalicion i gjerë me vende jo-anëtare të NATO-s.
Mbyllja e Ngushticës, përmes së cilës kalon rreth një e pesta e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror të lëngshëm, ka shkaktuar rritje të çmimeve të energjisë dhe rënie të parashikimeve të rritjes ekonomike.
SHBA ka kërkuar ndihmën e aleatëve për hapjen e kalimit, por shumë vende evropiane kanë refuzuar. Presidenti Donald Trump ka reaguar me zemërim, duke njoftuar tërheqjen e 5,000 trupave nga Gjermania dhe duke kërcënuar me sanksione ekonomike.
Qëndrimet e vendeve anëtare mbeten të ndara. Spanja ka kundërshtuar hapur luftën dhe ka ndaluar SHBA-në të përdorë hapësirën ajrore dhe bazat e saj për sulme ndaj Iranit.
Franca dhe Mbretëria e Bashkuar kanë krijuar një koalicion të veçantë brenda NATO-s për të siguruar transportin detar në Hormuz, pasi konflikti të qetësohet, ndërsa disa vende të tjera kanë dhënë në heshtje qasje në bazat e tyre për mbështetje logjistike. Megjithatë, një pjesë e aleatëve mbeten të ngurruar për t’u përfshirë drejtpërdrejt në konflikt.
Edhe pse SHBA nuk ka bërë ende një kërkesë zyrtare për përfshirjen e NATO-s, presioni mbi Aleancën po rritet.
Nëse bllokada vazhdon, disa vende pritet të ndryshojnë qëndrimin dhe të mbështesin një mision të përbashkët për të garantuar kalimin e sigurt të anijeve tregtare. Kujtimi i dështimit të operacionit amerikan “Projekti Liria” mbetet një paralajmërim për vështirësitë që mund të shfaqen, duke e bërë vendimmarrjen e ardhshme të NATO-s edhe më delikate.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




