Ndarja nga jeta e Margarita Xhepës, Papadhopuli: Trashëgimi e pazëvendësueshme për kulturën shqiptare

Kulturë | 2 vite më parë

Drejtori i Fondacionit “Rruga me Pisha”, Arben Papadhopuli, i ftuar në studion e RTSH 24, shprehu keqardhjen për ndarjen nga jeta të artistes së madhe të skenës shqiptare Margarita Xhepa.

Ndrësa ka sjellë në vëmendje nisjen e bashkëpunimit mes tyre, që datonte në vitin 1999-2000,  kur u krijua radioseriali i parë social-edukativ në Shqipëri, “Rruga me Pisha”, që u transmetua në kanalin e parë të RTSH-së, Papadhopuli u shpreh se brezi i aktorëve si Margarita është i pazëvendësueshëm dhe Shqipëria mund të mos ketë mundësinë ta ketë më.

“Gjigande e kinematografisë dhe teatrit, me një karrierë të jashtëzakonshme.

Bashkëpunimi me znj. Margarita vjen në viti ’99-2000 kur themelohet radioseriali i parë social edukativ në Shqipëri, radionovela “Rruga me pisha” e transmetuar në kanalin e parë të radios në RTSH.

Rruga me pisha, një lagje imagjinare me një set karakteresh ku karakter qendror ishte personbazhi i hallës, i mishëruar në mënyrë ekselente nga znj. Xhepa. Ka qenë eksperiencë e gjatë me znj. Margarita.

Ka qenë eksperiencë që filloi në ’99 dhe përfundoi në 2007-2008. Margarita ishte një pozicion i jashtëzakonshëm të marrëdhënies që krijonte me ekipin.

Ka qenë proces jetik sepse radionovela prodhonte 8 episode në muaj. Një njeri me një bonsens të jashtëzakonshëm, me një frymë artistike të jashtëzakonshme.

Margarita ishte një person shumë aktiv social. Brez aktorësh që vështirë së Shqipëria do ketë fatin t’i ketë dhe njëherë tjetër.

Do jetë e pamundur pasi koha e sotme është botë konsumi, ajo botë e tyre ishte botë emocionesh e pasioni. Margarita la një gjurmë të pazëvendësueshme në këtë vend”, deklaroi Papadhopuli.

Ky i fundit e konsideroi Margaritën si një trashëgimi të pazëvendësueshme për kulturën shqiptare, me ndikim të thellë që do të mbetet përherë në memorien kolektive të vendit.

Në fund, Papadhopuli ka theksuar se, pavarësisht dallimeve midis personazhit të saj dhe jetës së saj personale, Margarita ruante të njëjtën edukatë dhe respekt, qoftë në skenë, qoftë në jetën e saj përditshme, duke e bërë atë një personalitet të veçantë dhe të paharrueshëm për çdo shqiptar.

Ky bashkëpunim mbetet një nga momentet më të rëndësishme të historisë së artit dhe kulturës shqiptare, duke nderuar një nga figurat më të shquara të kinematografisë dhe teatrit shqiptar, Margaritën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme