Ndërhyrje e suksesshme okulistike në Spitalin e Vlorës, Koçiu: 59-vjeçari diabetik rifiton ndjeshëm shikimin

Sociale | 1 vit më parë

Një ndërhyrje delikate në sy, e realizuar me sukses në Spitalin Rajonal të Vlorës, i ka rikthyer ndjeshëm shikimin një pacienti 59-vjeçar, i cili e kishte humbur atë si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga diabeti.

Ndërhyrja u krye nga ekipi i specializuar i okulistikës, i pajisur me teknologji të avancuar, pjesë e investimeve të fundit në këtë spital.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot rastin e ndërhyrjes duke e vlerësuar këtë si një dëshmi të standardeve të reja që po ofrohen në shëndetësinë publike dhe e cilësoi Spitalin e Vlorës një model për shërbimet okulistike në jug të vendit.

Ajo theksoi se, falë këtij operacioni dhe paketës së rimbursuar të vitrektomisë, pacienti iu nënshtrua trajtimit pa u detyruar të transferohej në spitale të tjera brenda apo jashtë vendit.

Operacioni u realizua nga një ekip i përkushtuar mjekësh dhe infermierësh, të cilët kanë garantuar jo vetëm një trajtim të suksesshëm, por edhe kthimin e shpresës për një jetë më cilësore tek pacienti.

““Ky rezultat behet me domethënës falë investimeve në kabinetin e ri të okulistikës, të pajisur me teknologji moderne dhe paketat e rimbursuara të vitrektomisë, që garantojnë trajtime falas, pa nevojë për referim në spitale të tjera”, u shpreh Koçiu, ndërsa shprehu mirënjohjen për ekipin mjekësor: Dr. Kemal Ylsek, Dr. Edmond Isufaj, Dr. Dilaver Haskaj, Dr. Ëngjëll Lazaj, Dr. Odela Risilia dhe infermiere Kleoniqi Mustafaraj”, shkruan në mesazhin e saj ministrja Koçiu.

Spitali i Vlorës mbetet një pikë referimi për kujdesin shëndetësor gjatë gjithë vitit, si për qytetarët vendas ashtu edhe për pushuesit që zgjedhin këtë zonë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme