Ndërtimi pa leje në Tiranë/AMP çon në prokurori 2 punonjës policie për shpërdorim detyre

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka referuar në Prokurorinë e Tiranës dy efektivë të Policisë së Shtetit, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës”, në lidhje me një objekt ndërtimi në rrugën “Llukë Kacaj”, Njësi Administrative nr. 4.
“Gjatë monitorimit të mediave elektronike janë konstatuar raportime se në një objekt shumë katësh në ndërtim në rrugën “Llukë Kacaj”, Nj. Administrative nr. 4, janë ndërtuar 2 kate banimi, në tejkalim të atyre të përcaktuara në lejen përkatëse lëshuar nga Bashkia Tiranë.
Pas verifikimeve të kryera nga ana e strukturave të Policisë së Shtetit, ka rezultuar se objekti është ndërtuar në tejkalim të lejes së ndërtimit mbi pragun ligjor 10% të parashikuar për masën e konfiskimit për interes publik, referuar Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025”, thuhet në njoftimin e policisë.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore shpjegon më tej se ka administruar dokumentacionin shkresor si edhe ka marrë “deklarimet e strukturave policore përkatëse, ku bazuar në veprimet e para hetimore ka referuar materialet proceduriale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për dy punonjës policie, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorim i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, K. M., me detyrë Ndihmës Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4 dhe S. K., me detyrë Specialist për Hetimin e Krimit pranë Komisariatit të Policisë Nr. 4.”
Ndërkaq, objekti i ndërtuar në rrugën “Llukë Kaçaj”, Njësia Administrative Nr. 4, Tiranë, u konfiskua pas një aksioni të përbashkët të Policisë së Shtetit dhe Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit pranë Bashkisë Tiranë.
Veprimi u krye nga Drejtoria e Monitorimit dhe Zbatueshmërisë së Lejeve të Ndërtimit, në zbatim të ligjit dhe për mbrojtjen e interesit publik.
Verifikimet treguan se objekti 9-katësh kishte tejkaluar lejen e ndërtimit, duke ndërtuar katin e 10, 11 dhe pjesërisht katin e 12, ndërkohë që ishte vënë në përdorim pa certifikatë përdorimi. Sipas Aktit Normativ Nr. 8, datë 01.10.2025, tejkalimi rezultoi mbi pragun ligjor prej 10%, duke bërë të ligjshëm konfiskimin për interes publik.
Materialet procedurale janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme. Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare dhe Komisariati i Policisë Nr. 4 Tiranë kanë raportuar më herët shkeljet e konstatuara në këtë objekt.
Policia e Shtetit nënvizon se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me të gjitha agjencitë ligjzbatuese për të parandaluar, evidentuar dhe goditur ndërtime të paligjshme dhe krime kundër mjedisit në të gjithë territorin.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




