Ndërtimi, Rama: Sektor që bën të dukshëm transformimin e Shqipërisë, e neveritshme që e fusin në kornizën e krimit

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar sektorin e ndërtimit si një nga motorët kryesorë të transformimit të Shqipërisë, duke i quajtur “të neveritshme” përpjekjet për ta futur këtë sektor në kornizën e krimit. I pranishëm në prezantimin e një projekti të ri në Tiranë, Rama tha se ndërtimi sjell zhvillim dhe përfitime konkrete për komunitetin.
Ai pranoi se sektori ka probleme, por theksoi se nuk mund të mohohet roli i tij në modernizimin e vendit. Kryeministri solli si shembull projektin e prezantuar, nga i cili Bashkia e Tiranës ka përfituar 14 milionë euro taksa ende pa nisur punimet, ndërsa në përfundim pritet të sjellë çerdhe, kopshte, një shkollë dhe qindra apartamente të porositura nga diaspora, të paguara përmes bankave.
“Sektori i ndërtimit në Shqipëri sjell shumë të mira, por për fat të keq, si çdo gjë tjetër në këtë vend, sulmohet kur shfaqet me sukses, goditet kur shfaqet si ndryshim, mbulohet me baltë kur shfaqet si shenjë e së nesërmes. Është një sektor që merr në mënyrë të vazhdueshme goditje, baltë që lëndon një numër të madh protagonistësh të tij. As e vë në diskutim që edhe në sektorin e ndërtimit, sikurse në çdo sektor tjetër, në Shqipëri ashtu si edhe në çdo vend tjetër, ka probleme dhe problemet këtu në Shqipëri janë më të mprehta në disa raste se ç’janë në vendet e tjera. Jo çdo gjë në sektorin e ndërtimit është e pastër, por ama që këtë sukses evident të Shqipërisë, këtë transformim të Shqipërisë që sektori i ndërtimit e bën të dukshëm, të prekshëm, ta fusim në kornizën e krimit është diçka e neveritshme dhe e papranueshme. Vetëm nga ky projekt, ende pa filluar puna, Bashkia e Tiranës ka marrë 14 mln euro taksë që janë një shumë e konsiderueshme. Ndërkohë që nga ky projekt, kur të bëhet realitet, komuniteti do fitojë çerdhe, kopshte dhe bashkia mund të fitojë edhe një shkollë. Ky projekt ka 350 apartamente të porositura nga diaspora dhe paguhen me bankë, jo cash. 350 apartamente janë vetëm ¼ e numrit të apartamenteve që do ketë ky projekt i madh. Ndaj është e rëndësishëm që njerëzit herë pas here të informohen”, tha Rama.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




