Në foto marshimet globale për Ditën Ndërkombëtare të Gruas, tubime për barazi dhe kundër dhunës në mbarë botën

Miliona gra në mbarë botën zhvilluan të dielën marshime dhe demonstrata për të shënuar Ditën Ndërkombëtare të Gruas. Tubimet në shtete të ndryshme kishin si fokus të përbashkët kërkesat për përshpejtimin e barazisë gjinore dhe denoncimin e diskriminimit e dhunës me bazë gjinore.
Në Amerikën Latine, protestat u karakterizuan nga thirrje të drejtpërdrejta kundër dhunës dhe vendimeve politike. Në Rio de Janeiro të Brazilit, marshimi kryesor u zhvillua në plazhin Copacabana, ku protestueset përdorën shirita ngjitës mbi gojë me mbishkrimin “Të jetosh është e drejta ime”. Në La Paz, Bolivi, pjesëmarrëset ekspozuan fotografitë e personave të akuzuar si abuzues ndaj grave. Ndërkohë, në Santiago të Kilit, protestat morën një natyrë politike, me pankarta që i drejtoheshin presidentit të zgjedhur Jose Antonio Kast përmes slloganit “Më shumë të drejta, më pak ndëshkim”. Në Lima, Peru, marshimit i parapriu një ceremoni tradicionale lokale.
Në Evropë, tubime masive u regjistruan në kryeqytetet kryesore. Në Madrid, Spanjë, mijëra gra marshuan duke brohoritur slogane për të drejtat e tyre, ndërsa në Paris, Francë, u vu re pjesëmarrja e figurave si Gisele Pelicot në krye të marshimeve. Tubime u mbajtën edhe në Stamboll të Turqisë, ku gratë protestuan duke mbajtur pankarta, pavarësisht masave të rrepta të sigurisë në qytet.
Në kontinentin aziatik, aktivistet kërkuan ndryshime legjislative dhe shoqërore. Në Seul të Koresë së Jugut, tubimet nisën që të shtunën nën thirrjen “Përfundoni revolucionin e dritës”. Marshime për të drejtat e grave u raportuan gjithashtu në Karaçi të Pakistanit.
Në kontrast me natyrën protestuese të ngjarjeve në pjesën më të madhe të globit, në Phenian të Koresë së Veriut dita u shënua përmes aktiviteteve shtetërore, ku gratë performuan valle tradicionale në distriktin Moranbong.
















/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




