Në katër vite 24 raste të femicidit, ekspertja: Ofrimi i shërbimeve dhe dënimet maksimale zbusin fenomenin

Aktualitet | 6 muaj më parë

Nga 1 janari i vitit 2022 deri në fund të dhjetorit të vitit 2025, në Shqipëri janë shënuar më shumë se 24 raste të femicidit.

“Kemi pothuajse në të gjitha grupmoshat ku pjesën më të madhe e mban mosha 35 deri në 46, por ajo çfarë është vënë re është dhe rreth 25% grave të vrara mbi moshën 65 vjeç”, tha Esmeralda Hoxha nga Qendra GADC.

Ngjarjet janë shënuar kryesisht në mjedise familjare, duke dëshmuar se gratë e vajzat janë të rrezikuara kudo.

“Pjesën më të madhe të rasteve, 85% të rasteve, krimi ka ndodhur brenda ambienteve të shtëpisë. Gratë dhe vajzat nuk janë të sigurta as në shtëpinë e tyre, sepse autori është bashkëshorti, partneri, është ish-bashkëshorti që nuk e ka pranuar divorcin dhe kështu me radhë”, u shpreh Hoxha.

Në këtë periudhë janë dhënë dy vendime të dënimit me burgim të përjetshëm për këtë tipologji vrasjeje, por ka pasur edhe dënime të tjera.

“Gjykata e Elbasanit në tre vitet e fundit ka dhënë dy dënime me burgim të përjetshëm që një numër i konsiderueshëm nuk është dënuar me burg, por është dënuar me ndjekje të mjekimit duke qenë se ka rezultuar i sëmurë me shëndetin mendor”, theksoi Hoxha..

Rritja e rasteve, kërkon dënime maksimale, sipas ekspertëve, pasi situata konsiderohet alarmante.

“Nëse vret, dënimi i përjetshëm. Ke hequr një grua nga vatra familjare, ke hequr një bijë nga familja, ke lënë fëmijët jetim”, tha Hoxha.

Përmirësimi i situatës dhe ulja e numrit të rasteve mund të zgjidhet vetëm me shërbime konkrete.

“Nëse anëtarët e këtyre mekanizmave ofrojnë shërbimet ashtu siç kërkohet, mendoj që numri i grave dhe vajzave ndoshta do ulet pak. Momentalisht jemi në sistem alarmi”, shtoi Hoxha.

Femicidi është vrasja e qëllimshme e grave ose vajzave për shkak të gjinisë së tyre, duke përfaqësuar formën më ekstreme të dhunës me bazë gjinore.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme