“Në kohë reale”- Tragjedia në Itali e familjes Kola, i afërmi: Nënës së Artit ende nuk i kanë treguar se ka ndodhur kjo fatkeqësi e madhe
Detaje rrëqethëse janë zbuluar rreth tragjedisë së rëndë të ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në qytezën Porcari të Italisë, ku një familje e tërë shqiptare humbi jetën brenda banesës së tyre.
Viktimat ishin kryefamiljari Arti Kola, 48 vjeç, bashkëshortja e tij Jonida, 43 vjeç, si dhe dy fëmijët e çiftit, Hajdari 22 vjeç dhe vajza Xhesika, 15 vjeç.
Sipas hetimeve paraprake të autoriteteve italiane, shkak për vdekjen e tyre dyshohet të ketë qenë asfiksia nga monoksidi i karbonit, i çliruar nga një defekt në bolierin e shtëpisë.
Ngjarja është trajtuar edhe në emisionin “Në kohë reale” me moderatorin Flori Gjini, ku të afërm dhe bashkëfshatarë kanë ndarë dhimbjen dhe historinë e sakrificës së familjes Kola.
Drama e nënës, Sinani: “I kanë thënë që janë në spital”
Ibrahim Sinani, i afërm i familjes, zbuloi një detaj prekës lidhur me nënën e të ndjerit Arti Kola. E moshuara, 78 vjeçe, e cila jeton gjithashtu në Itali me djalin tjetër, ende nuk është njoftuar për vdekjen e të birit dhe nipërve.
“Nënës së Artit ende nuk i kanë treguar se ka ndodhur kjo tragjedi. I kanë thënë se janë sëmurë në spital dhe ende s’i kanë treguar gjë. Ka shqetësim se ajo mund ta përjetojë keq,” u shpreh Sinani.
Ai tregoi se Arti kishte vite që kishte emigruar, fillimisht në Greqi dhe më pas në Itali, për të ndërtuar një jetë më të mirë. Tragjedia bëhet edhe më e rëndë nga fakti se familja sapo kishte realizuar ëndrrën e emigrimit: blerjen e shtëpisë së tyre, të cilën fatkeqësisht nuk arritën ta gëzonin.

Familja model nga fshati Gryksh
Florenc Sinani, kryeplaku i fshatit Gryksh nga ku kishte origjinën familja, i përshkroi viktimat si njerëz të mrekullueshëm.
“I jati kishte vite që kishte ikur, ndërsa familja u bashkua me të në Itali para katër vitesh. Arti punonte bojaxhi. Si këtu, ashtu edhe atje, kanë qenë familje e mrekullueshme,” tha kryeplaku.
Familja Kola kishte qenë së fundmi në Shqipëri për të festuar Vitin e Ri, pa e ditur se kjo do të ishte vizita e tyre e fundit në atdhe.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




