“Në Kohë Reale”- Avokati Hasani komenton paketën e re britanike për emigracionin dhe rrezikun e deportimit të 700 familjeve shqiptare

Aktualitet | 12 muaj më parë

Në Parlamentin britanik, ministrja e Brendshme Shabana Mahmood ka prezantuar një paketë të re ligjore për azilin dhe emigracionin, duke vendosur në qendër të vëmendjes 700 familje shqiptare që sipas saj kanë ezauruar çdo të drejtë për apelim dhe pritet të kthehen në vendin e origjinës.

Avokati Naim Hasani, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Londra për emisionin “Në Kohë Reale” të moderuar nga Flori Gjini, analizoi këtë zhvillim duke theksuar se politika e re e qeverisë britanike është një hap i paprecedentë.

“Ministrja ka bërë një deklaratë tronditëse dhe ka paraqitur një projektligj që nuk ishte parë ndonjëherë që nga Lufta e Dytë Botërore, duke lënë të shokuar edhe politikanët më ekstremë,” u shpreh Hasani.

Në analizën e tij, avokati sqaroi se qeveria britanike ka parashikuar dy skenarë për familjet shqiptare, kthimin vullnetar me mbështetje financiare ose rikthimin e detyruar në rast refuzimi.

“Qeveria britanike ka shpallur një numër masash, duke parë fluksin e madh të emigrantëve që vijnë nga Franca drejt Britanisë. Në vitin 2022 pati një numër të konsiderueshëm shqiptarësh, ndërsa tani ky numër ka rënë ndjeshëm. Megjithatë, ministrja ka zgjedhur të veçojë 700 familje shqiptare, të cilat sipas saj janë gati për t’u kthyer në Shqipëri,” tha Hasani.

Ai shtoi se Mahmood ka sqaruar në Parlament se qeveria dëshiron që familjet të kthehen vullnetarisht, duke u ofruar mbështetje financiare për riintegrimin e tyre.

 “Nëse këtyre familjeve nuk u ka mbetur asnjë mundësi apelimi dhe refuzojnë të kthehen vullnetarisht, atëherë do të detyrohen me forcë të rikthehen në vendin e origjinës,” theksoi Hasani, duke cituar deklaratat e ministres.

Në vijim, avokati kujtoi se Britania ka qenë gjithmonë e detyruar të shqyrtojë kërkesat për azil në bazë të ligjeve të saj dhe konventave ndërkombëtare, por tashmë Shqipëria është shpallur vend i sigurt dhe kandidat për Bashkimin Europian, çka e bën më të lehtë kthimin e familjeve shqiptare.

“Statusi i Shqipërisë si vend i sigurt e lehtëson procedurën e kthimit,” nënvizoi ai.

Hasani ngriti gjithashtu shqetësimin për fëmijët e lindur dhe rritur në Britani, duke e cilësuar këtë si një paradoks ligjor.

 “Nëse një fëmijë ka lindur në Britani dhe ka mbushur 7 vjeç, ai ka të drejtë të aplikojë për leje të përhershme dhe nuk mund të ndahet nga familja. Po ashtu, një fëmijë që jeton këtu prej 10 vitesh ka të drejtë të aplikojë për shtetësi britanike. Këto janë dispozita ligjore që e bëjnë shumë të vështirë ndarjen e fëmijëve nga prindërit,” theksoi ai.

Më tej avokati theksoi se çdo rast do të shqyrtohet individualisht, sipas ligjeve në fuqi, duke iu përgjigjur nevojave dhe pretendimeve të secilit individ që jeton në Britani.

“Qeveria britanike ka shpallur se do të veprojë me ‘dorë të hekurt’ kundër emigracionit të paligjshëm, sidomos ndaj atyre që vijnë me gomone nga Franca. Ministrja tha se procesi do të nisë pikërisht me familjet shqiptare që u ka përfunduar çdo e drejtë ligjore për të qëndruar në Britani,” shpjegoi Hasani.

Ai sqaroi edhe procedurën për kthimin vullnetar, ku familjet që pranojnë të largohen përfitojnë 3 mijë paund nga qeveria britanike.

 “Familja që bie dakord merr 1500 paund në momentin e kthimit dhe një kartë që aktivizohet në Shqipëri me 1500 paund të tjera, për të hapur një biznes ose për të përballuar koston e jetesës. Por problemi është se shumë pak familje kanë preferuar ta marrin këtë ndihmë, ndaj ministrja paralajmëroi se rikthimet me forcë do të rifillojnë nëse nuk pranohet oferta financiare,” përfundoi Hasani.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme