Në përkujtim të Revoltës së Spaçit, ministri Gonxhja: Kujtesa është përgjegjësi dhe Spaçi duhet të vazhdojë të flasë

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit Blendi Gonxhja mori pjesë në një aktivitet përkujtimor së bashku me Shoqatën e Ish-të Përndjekurve Politikë, Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Institutin e Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë, Bashkinë Mirditë, si dhe studiues, artistë e qytetarë.
Gjatë aktivitetit u nderua kujtimi i të burgosurve politikë që u përfshinë në revoltën e vitit 1973, një nga aktet më të njohura të qëndresës në kampin e Spaçit. Ministri theksoi rëndësinë e ruajtjes së kujtesës historike dhe edukimit të brezave të rinj mbi ngjarjet e së kaluarës.
Në fjalën e tij, Gonxhja u shpreh se institucionet shtetërore po mbështesin programe të dokumentimit, edukimit dhe kujtesës, në kuadër të “Javës së Muzeve”, si pjesë e angazhimit për të ruajtur dhe interpretuar historinë e kampit të Spaçit si një vend i rëndësishëm i kujtesës kolektive.
“Në përkujtim të përvjetorit të Revoltës së Spaçit, një nga aktet më të forta të qëndresës dhe dinjitetit njerëzor në historinë moderne të Shqipërisë.
Së bashku me Shoqatën e Ish-të Përndjekurve Politikë, Delegacionin e Bashkimit Europian në Shqipëri, Institutin e Integrimit të ish-Përndjekurve Politikë, Bashkia Mirditë, grupet e interesit, studiues, artistë dhe qytetarë, kujtuam jo vetëm sakrificën e atyre që guxuan të kërkonin liri brenda mureve të Spaçit, por edhe rëndësinë që ka ruajtja e kujtesës kolektive për brezat që vijnë.
Në kuadër të Javës së Muzeve, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit mbështet programet e kujtesës, dokumentimit dhe edukimit, si pjesë e përpjekjes për ta përcjellë këtë histori te brezi i ri, jo vetëm si dëshmi e së kaluarës, por si reflektim mbi lirinë, dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut, si një angazhim në vijim i planit të menaxhimit të sitit në bashkëpunim me grupet e interesit në vijim të konsultimeve. Kujtesa është përgjegjësi. Dhe Spaçi mbetet një nga ato vende ku historia duhet të vazhdojë të flasë”, shkruan Gonxhja.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




