Negociatat në Uashington, SHBA dhe Danimarka ngrenë grup pune për Grenlandën, Rasmussen: Kemi vija të kuqe

Botë | 10 muaj më parë

Pavarësisht “mosmarrëveshjeve themelore” lidhur me të ardhmen e ishullit, Danimarka, Grenlanda dhe Shtetet e Bashkuara kanë rënë dakord të mbajnë hapur kanalet e komunikimit.

Pas takimit të zhvilluar të mërkurën me Zv/Presidentin JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, Ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen, njoftoi ngritjen e një strukture të re diplomatike.

Krijohet grupi i punës

“Kemi vendosur të formojmë një grup pune të nivelit të lartë për të shqyrtuar nëse mund të gjejmë një rrugë të përbashkët përpara,” deklaroi Rasmussen. Ky grup pritet të takohet për herë të parë brenda pak javësh. Qëllimi i tij do të jetë adresimi i shqetësimeve amerikane për sigurinë, por me një kusht të panegociueshëm: respektimin e “vijave të kuqe” të Mbretërisë së Danimarkës.

Refuzimi i shitjes dhe “narrativa Trump”

Diplomati danez e bëri të qartë se blerja e ishullit nga SHBA është “absolutisht e panevojshme”. Ai theksoi se takimi shërbeu për të sfiduar narrativën e rrezikut iminent që Presidenti Trump i ka paraqitur botës.

“Danimarka është padyshim në anën e duhur të historisë,” tha ai, duke hedhur poshtë pretendimet për rrezikun rus apo kinez në Arktik si të pabaza për momentin.

Qëndrimi i Grenlandës

Në të njëjtën linjë ishte edhe Ministrja e Jashtme e Grenlandës, Vivian Motzfeldt, e cila i dha fund spekulimeve për ndryshim sovraniteti:

“Ne duam të forcojmë bashkëpunimin me SHBA-në si aleate, por kjo nuk do të thotë që ne duam të jemi në pronësi të Shteteve të Bashkuara.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme