Negocimi i përshpejtuar drejt BE-së, sipërmarrjet optimiste për procesin
Shtatë nga dhjetë kompani e vlerësojnë pozitivisht ose shumë pozitivisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Të dhënat e sondazhit të Këshillit të Investimeve, që paraqesin panoramën e parë të pritshmërive të bizneseve shqiptare në këtë proces të përshpejtuar negocimi, konsiderohen nga ekspertët si befasuese.
Sipas tyre, ky optimizëm lidhet me natyrën e bizneseve shqiptare, të cilat në një pjesë të konsiderueshme janë ngritur si ndërmarrje të përbashkëta me vende fqinje, tashmë anëtare të Bashkimit Evropian.
“Sot, nga rreth 180 mijë biznese të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, shumica dërrmuese, mbi 90 për qind, janë biznese të vogla dhe të mesme, pasi kjo është struktura e ekonomisë shqiptare. Megjithatë, ka edhe biznese të mëdha, rreth 3 mijë të tilla, si dhe 200–300 biznese VIP që kanë një peshë të konsiderueshme në ekonomi,” theksoi eksperti.
Në kushtet kur, sipas sondazhit, vetëm 33 për qind e të anketuarve deklarojnë se kanë informacion mbi axhendën e reformave, situata që pritet pas negociatave duhet të merret seriozisht.
“Standardet kanë një kosto, por për t’u arritur ato, Bashkimi Evropian është i gatshëm të ofrojë mbështetje, ashtu siç e ka bërë edhe për vendet e tjera. Natyrisht, bizneset shqiptare do të duhet të investojnë për të përmbushur këto standarde. Ky proces do të ketë fitues, por nuk përjashtohen edhe humbësit,” tha eksperti.
Më pak optimiste paraqiten pritshmëritë për eksportet. Vetëm 3 në 10 biznese presin rritje të mundësive eksportuese si rezultat i anëtarësimit në BE.
“Biznesi shqiptar nuk duhet të gjendet i papërgatitur përballë kësaj vale që po vjen dhe që pritet të jetë e shpejtë. Nëse respektohet afati i vendosur nga qeveria shqiptare për përmbylljen e negociatave deri në vitin 2027, numri i ligjeve që do të miratohen në Parlament në vetëm dy vite do të jetë jashtëzakonisht i madh dhe shpesh biznesi shqiptar nuk do të ketë kohë ta përthithë këtë ndryshim të shpejtë,” tha ai.
Ndërkohë, gjysma e bizneseve deklarojnë se kanë nevojë për më shumë informacion, ndërsa po aq e shohin anëtarësimin në BE si një mundësi reale për rritje dhe zgjerim të aktivitetit. Sektorët më optimistë janë industria përpunuese, bujqësia, pylltaria, peshkimi, si dhe transporti dhe magazinimi.
Gazetare: Entela Komnino
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




