Nevojë për kushte, personat me aftësi të kufizuara vështirësi në lëvizje, mungesë shërbimi
Mungesa e infrastrukturës vijon ende të mbetet një nga problemet kryesore që kanë personat me aftësi të kufizuara në Shqipëri.
Gjetjet e studimit që përfshiu 90 institucione publike përgjegjëse për trajtimin e dhunës me bazë gjinore në bashkitë Tiranë, Durrës e Dibër, tregojnë një nivel të ulët edhe në komunikimin etik nga ana e punonjësve.
Të dhënat tregojnë se gratë me aftësi të kufizuara përjetojnë nga dy deri në katër herë më shumë raste të dhunës me bazë gjinore krahasuar me gratë e tjera në realitetin shqiptar.
“Një nga problemet kryesore mbetet mungesa e theksuar e aksesit infrastrukturor. Kryesisht në Tiranë evidentohet një nivel minimal aksesueshmërie, që nuk i kalon rreth 20% të institucioneve të vëzhguara.
Po ashtu, shumë pak raste tregojnë se punonjësit dhe stafi i këtyre institucioneve kanë marrë trajnime gjatë 12 muajve të fundit për trajtimin e rasteve specifike të dhunës me bazë gjinore ndaj personave me aftësi të kufizuara”, tha avokatja Dea Nini.
Nga vëzhgimi në terren pati edhe nga ata institucione të cilat nuk kthyen as përgjigje zyrtare, pas kërkesës për informacion.
“Gjithashtu, pati shumë institucione pjesë e zinxhirit të mekanizmit të bashkërendimit të përgjigjes ndaj dhunës me bazë gjinore, të cilat nuk iu përgjigjën kërkesave tona zyrtare për informacion, sidomos kur bëhej fjalë për çështje që lidhen me aksesin në informacion dhe komunikim”, tha avokatja.
Në raportin prej 35 faqesh të publikuar nga Fondacioni “Sё Bashku”, propozohen masa të menjëhershme sic janë sinjalistika bazë, instalimi i rampave funksionale, sportele si dhe tualete të përshtatura.
Gazetare: Elda Hasanbelli
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




