Nga lokali i bluesit te skena simfonike, Morgan Freeman sjell historinë 100-vjeçare të bluesit në një album të ri

Gjithçka nisi 25 vjet më parë nga një mungesë e thjeshtë: turistët dhe banorët në Clarksdale të Misisipit pyesnin se ku mund të dëgjonin muzikë live blues, por vendet mungonin. Për t’i dhënë zgjidhje kësaj nevoje, aktori i mirënjohur dhe fitues i Çmimit Oscar, Morgan Freeman, së bashku me partnerët e tij të biznesit, ish-kryebashkiakun Bill Luckett dhe Howard Stovall, themeluan klubin e njohur “Ground Zero Blues Club”.
Sot, ky udhëtim ka evoluar në një projekt shumë më të madh: “Morgan Freeman’s Symphonic Blues Experience”, një ansambël unik që ndërthur muzikën shpirtërore të Jugut të SHBA-së me kompozimet klasike simfonike, i cili kurorëzohet këtë javë me publikimin e albumit me të to emër.
Një udhëtim muzikor 100-vjeçar
Në këtë projekt të ri discografik, Freeman nuk vjen në rolin e interpretuesit, por të producentit dhe narratorit. Zëri i tij ikonik dhe tejet karakteristik hap albumin, duke recituar vargje me nota poetike mbi klasikun e bluzit gospel të vitit 1927 të Blind Willie Johnson, “Dark Was the Night, Cold Was the Ground”.
Albumi përmbledh në rreth 45 minuta dhe 12 këngë një hark kohor prej një shekulli të evolucionit të bluesit (nga vitet 1930 e deri në ditët e sotme). Për realizimin e tij janë bashkuar artistë të shquar ndërkombëtarë, si Taj Mahal, Keb’ Mo’, Shemekia Copeland, Tiernii Jackson, Kori i Akademisë së Muzikës Stax, si dhe Orkestra Chineke nga Londra.
Përgjegjësia për të mbajtur gjallë rrënjët e muzikës
Për ekipin e realizimit, ky album nuk është thjesht një produkt artistik, por një mision për të mos lënë që ky zhanr historik të harrohet.
“Bluesi është në fakt muzika amerikane,” shprehet Freeman, duke shtuar se është detyrë e tyre ta ushqejnë dhe ta mbajnë gjallë. Projekti vjen gjithashtu në një kohë kur interesi për bluesin është ringjallur fuqishëm në skenën kulturore, ndihmuar edhe nga filma të suksesshëm si “Sinners” (fitues i çmimit Oscar në vitin 2025), regjisori i të cilit u frymëzua pjesërisht pikërisht nga atmosfera e klubit të Freeman në Clarksdale.
Me një shtrirje që premton të tërheqë audienca globale, albumi i ri është tashmë i pranueshëm për t’u garuar në edicionin e ardhshëm të çmimeve Grammy, duke i dhënë mundësinë legjendarit Morgan Freeman që, krahas trofeut Oscar, të synojë edhe një çmim prestigjioz muzikor.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.






