Nga Paraguai në Brazil, rrjeti i lëvizjeve të Ervin Matës. SPAK monitoronte lëvizjet e tij prej 2 vitesh, bashkëpunonte me grupet kriminale lokale të kokainës

Lëvizjet e Ervin Matës, i cili u arrestua një ditë më parë në Brazil, ishin nën monitorim prej më shumë se dy vitesh, nga autoritetet shqiptare në disa vende të Amerikës Latine. Sipas hetimeve, Mata jetonte mes Brazilit dhe Paraguait me dokumente të falsifikuara.
Burime për gazetaren e RTSH24, Flutura Tota, bëjnë me dije se Mata kishte krijuar bazë mes Paraguajit dhe Brazilit, duke u shoqëruar me persona nga grupe kriminale lokale të trafikut të kokainës.
Në momentin e arrestimit, Matës iu sekuestruan dokumente të falsifikuara, përfshirë një pasaportë bullgare të skaduar, një kartë identiteti bullgare të pavlefshme dhe një kartë identiteti të Paraguajit, e cila dyshohet se përdorej për lëvizjet e tij në disa shtete të Amerikës Latine. Karta e identitetit të tij figuronte si vendlindje Mbretëria e Bashkuar, e cila skadonte në 2030-ën.
Interpol konfirmoi identitetin e tij në bazë të fotografisë së dërguar nga autoritetet braziliane, ku më pas edhe u arrestua. Hetuesit dyshojnë se Mata shoqërohej gjithashtu me shtetas shqiptarë, të cilët i mbante pranë për aktivitete kriminale. Gjatë operacionit përveç Matës, u arrestuan edhe disa të tjerë.
Ervin Mata është i njohur për drejtësinë shqiptare si i përfshirë në trafikim të lëndëve narkotike, pastrim parash dhe sigurim kushtesh për vrasje. Ai kërkohej nga SPAK që prej vitit 2023 për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal, i dyshuar për trafikimin e qindra kilogramëve kokainë drejt Europës.
Ai u prangos gjatë operacionit të koduar “The Wanted” për përfshirje në trafikimin e rreth 240 kilogramëve kokainë.
Arrestimi i tij lidhet edhe me dosjen ku përfshihet Eralbi Breçani, djali i ish-drejtuesit të Policisë Erzen Breçani, i cili u vetëdorëzua në Spanjë. Dyshohet se së bashku kanë trafikuar rreth 150 kilogramë kokainë.
Mata është i njohur për drejtësinë edhe për përplasjen me bosin e lojërave të fatit, Ervis Martinaj, i zhdukur prej disa vitesh, në një lokal në ish-Bllok në vitin 2018. Konflikti mes të dyve, në një lokal, përfundoi me vrasjen e Fabian Gaxhës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




