Nga përplasja fizike te lirimi i tij-Ç’po ndodh me rastin e Sami Lushtakut në Kosovë

Një përplasje fizike ndodhi më 14 maj në një nga kafenetë në qendër të Skënderajt, ku të përfshirët në këtë konflikt ishin Hysni Mehanit zëvendësministër i Financave, kandidat për deputet dhe kryetar i degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Skënderaj dhe Sami Lushtaku, kryetar i Komunës së Skënderajt.
Hysni Mehani dhe aktivisti i Lëvizjes Vetëvendosje Bahri Zabeli pretenduan se u sulmuan brutalisht nga Sami Lushtaku dhe truprojat e tij.
Sipas tyre, fillimisht Mehani u godit me grusht, pastaj me gotë në kokë. Bahri Zabeli u sulmua teksa u përpoq të ndërhynte dhe për këtë Vetëvendosje publikoi foto të Mehanit të gjakosur dhe deklaroi se ai mori trajtim mjekësor. Nga ana tjetër, Sami Lushtaku ka mohuar kategorikisht se ka ushtruar dhunë fizike ndaj Mehanit.
Ai pretendon se qytetarët reaguan spontanisht pasi Mehani dhe njerëz të Vetëvendosjes e etiketuan atë me terma si “Sami Serbia” dhe tentuan ta provokonin. Lushtaku e paraqiti ngjarjen si provokim politik nga qeveria Kurti.
Ndërkaq, Prokuroria Themelore në Mitrovicë nisi hetimet, ku në 48 orët e fundit u arrestuan dy persona në lidhje me sulmin ndaj Mehanit dhe Zabelit.
Sami Lushtaku është marrë në pyetje gjithashtu, edhe pse fillimisht nuk iu përgjigj thirrjes së policisë dhe prokurorisë, ndërsa mbrëmjen e sotme ai është liruar në procedurë të rregullt.
Avokatët e Lushtakut dhe zëdhënësi i Prokurorisë në Mitrovicë, Valon Preteni, ka konfirmuar për RTK-në lirimin e Sami Lushtakut.
“Intervistimi i S.L. është kryer. Rasti ka shkuar në procedurë të rregullt. Hetimet për rastin vazhdojnë”, ka deklaruar ai.
Incidenti ka shkaktuar tensione të forta politike midis PDK-së dhe Vetëvendosjes, duke u bërë temë kryesore në Kosovë.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




