Nga spitali në Play-off-in e Botërorit me Rumaninë, Lucescu: S’mund të ikja si frikacak!

Botërori 2026 | 7 muaj më parë

Prej muajsh vuan nga një sëmundje, natyrën e së cilës nuk ka dashur ta zbulojë, sepse nuk do aspak që të jetë në vëmendjen e të gjithëve. Të enjten Mircea Lucescu, 80 vjeç dhe një jetë në futboll, do të drejtojë Rumaninë në garën për të siguruar një vend në Botërorin 2026.

“Kur më thanë mjekët se mund të vazhdoja të stërvisja, u përqendrova tek ajo që duhet të bëj për Rumaninë”, – ka treguar për “Guardian”, në prag të sfidës me Turqinë, trajneri që ka shëtitur botën.

“Kam folur me federatën dhe më thanë se nuk mundeshin të gjenin një zgjidhje. Nuk jam në formën më të mirë, do të tërhiqesha, nëse do të kishte një opsion tjetër. Por e theksoj: nuk mund të iki si frikacak. Besojmë te mundësitë tona për t’u kualifikuar”, – ka shtuar trajneri rumun.

Gjatë muajve të fundit Lucescu është shtruar në spital tri herë, por ka qenë në kontakt të përhershëm me lojtarët dhe stafin, duke studiuar ndeshjet e Turqisë. “Do të luajmë në një atmosferë të jashtëzakonshme. E njoh shumë mirë, është stadiumi i Beshiktashit. Nuk e di nëse ka ndonjë mënyrë për të amortizuar zhurmën që ata krijojnë. Duhet t’ua shpjegoj djemve, atyre që nuk kanë luajtur ndonjëherë në Turqi, se çfarë i pret atje”.


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme