Ngërçi politik në Kosovë – AAK: Vendi, buzë kolapsit. LDK thirrje për bashkim
“Kosova ndodhet në krizën më të rëndë pas pavarësisë”. Kështu u shpreh kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së Besnik Tahiri, pasi Kuvendi dështoi të zgjedhë presidentin e ri dhe presidentja dekretoi shpërndarjen e Kuvendit, ndërsa politika pret vendimin e Gjykatës Kushtetues për këto çështje. Ai akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje se nuk është në gjendje ta bëjë shtetin funksional.
“Kosova sot është në bllokadë ndërsa qeveria është jonfunksionale, shteti është jonfunksional. Ekonomia është buzë kolapsit. Çmimet e konsumit për qytetarë dhe për familjet kanë ardhur në atë stad që janë të papërballueshme për jetesë.”, u shpreh Besnik Tahiri, Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së.
Tahiri u shpreh i bindur se dekreti i presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit është kushtetues, ndërsa kritikoi sulmet ndaj asaj Gjykate nga eksponentë të Lëvizjes Vetëvendosje. Deputeti i AAK-së tha se opozita nuk duhet të frikësohet që të bashkohet në një platformë në rast zgjedhjesh të reja. Një tjetër thirrje erdhi nga kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku.
“Koha kërkon bashkim, të institucionalistëve, mbështetësve të Republikës dhe të gjithë udhëtarëve të rrugës euroatlantike. Të gjithë këta kanë një shtëpi të përbashkët, Lidhjen Demokratike të Kosovës”, tha Lumir Abdixhiku, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Abdixhiku theksoi se se krizat e vazhdueshme politike dhe përplasjet e brendshme po e dëmtojnë vendin, duke theksuar se Kosovës i duhet një qasje e re politike që bashkon shoqërinë, stabilizon jetën institucionale dhe e forcon orientimin drejt Perëndimit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




