Ngjashmëri me Shqipërinë? Sulo: Opozita në Hungari u bashkua, këtu u fragmentarizua

Politikë | 7 muaj më parë

Analisti Arion Sulo, i ftuar në emisionin “Trialog”, ka bërë një krahasim mes opozitës në Hungari dhe asaj në Shqipëri, duke theksuar se ndërsa në Hungari opozita arriti të bashkohej dhe të sillte fitoren e forcave kundërshtare ndaj pushtetit, në Shqipëri ndodhi e kundërta, fragmentarizim dhe përçarje.

“Atje opozita u bashkua dhe solli fitoren e Magyar, ndërsa këtu u përça dhe u fragmentarizua,” tha Sulo, duke nënvizuar se mungesa e vullnetit për bashkëpunim ka qenë një nga problemet kryesore të opozitës shqiptare.

Ai përmendi se përveç avokatit Adriatik Lapaj, i cili u bashkua me Shabanin, dhe thirrjeve të përsëritura të Sali Berishës për bashkim, nuk pati asnjë përpjekje serioze nga partitë e tjera për të krijuar një front të përbashkët.

“Askush nuk dëshironte të bashkëpunonte me askënd,” shtoi analisti.

Sulo e cilësoi pa sens pretendimin e shtatë partive opozitare të veçuara se mund të fitonin zgjedhjet me këtë sistem elektoral.

“Është pa sens që me këtë ligj elektoral, shtatë parti opozitare të veçuara të pretendojnë se do fitojnë. Nga asnjëra palë nuk u tregua vullnet për bashkim, por edhe sikur të bëhej, si do të funksiononte ky bashkim?” u shpreh ai.

Analisti theksoi se opozita shqiptare kishte nevojë për një front të gjerë, jo ideologjik, por pragmatik, që të përqendrohej tek qëllimi i përbashkët dhe jo tek ndarjet politike.

“Ky duhej të ishte një front opozitar pa ideologji, jo ideologjik,” përfundoi Sulo.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme