Ngushtica e Hormuzit, Macron thirrje SHBA dhe Iranit të ulin tensionet: Problemet të zgjidhen përmes diplomacisë

Presidenti francez, Emmanuel Macron u bëri thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Iranit që të ulin tensionet pas përshkallëzimeve të fundit në Ngushticën e Hormuzit.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin polak Donald Tusk, ai theksoi se qëndrimi i Francës mbetet i pandryshuar: problemet duhet të zgjidhen përmes diplomacisë dhe të gjitha palët duhet të tregojnë përmbajtje.
Ndërkohë, situata në rajon mbetet e tensionuar. SHBA-të vijojnë bllokadën detare ndaj porteve iraniane, ndërsa Irani ndërmori hapa të përkohshëm për hapjen dhe më pas mbylljen e Ngushticës së Hormuzit një rrugë kyçe nga e cila kalon rreth 20% e naftës dhe gazit natyror të lëngshëm që transportohet globalisht me anije.
Në lidhje me të shtënat paralajmëruese ndaj një anijeje kontejnerësh të kompanisë franceze CMA CGM në këtë zonë, Macron deklaroi se nuk mendon se bëhej fjalë për një sulm të drejtuar specifikisht ndaj Francës. Nga ana e saj, kompania konfirmoi se ekuipazhi i anijes është i sigurt.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




