Nis edicioni i gjashtë i Akademisë së Arbitrimit, zhvillohet ceremonia në “Shtëpinë e Futbollit”

Në “Shtëpinë e Futbollit” u zhvillua ceremonia e nisjes së edicionit të gjashtë të Akademisë së Arbitrimit, një program i rëndësishëm i Federatës Shqiptare të Futbollit në bashkëpunim me BASHF.
Në këtë aktivitet morën pjesë Shefi i Departamentit të Arbitrimit në FSHF, Sokol Jareci, Presidenti i BASHF, Tahir Kastrati, Sekretari i Përgjithshëm i BASHF, Klajdi Kola, si edhe dy arbitrat e njohur Enea Jorgji dhe Juxhin Xhaja.
Në këtë edicion të ri, interesi për t’u bërë pjesë e Akademisë ka qenë i lartë, me mbi 90 të rinj të regjistruar deri më tani. Ata do të trajnohen nga stafi i specializuar i FSHF-së, me synimin për të përfunduar me sukses programin dhe në të ardhmen për t’u bërë pjesë e botës së futbollit si arbitra të kualifikuar.
Të pranishëm në ceremoninë e hapjes ishin disa prej aplikantëve, të cilët patën mundësinë të dëgjonin këshillat e vlefshme të dy prej arbitrave më të mirë shqiptarë, Jorgji dhe Xhaja, që sot gjykojnë edhe ndeshje të rëndësishme në arenën ndërkombëtare.
Ata ndanë përvojat e tyre, rrugëtimin drejt suksesit dhe i inkurajuan kursantët të jenë të përkushtuar, të përgjegjshëm dhe të punojnë fort për të arritur nivele të larta në të ardhmen.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




