Nis riparimi i ujësjellësit të Mirditës, ujësjellësi i bashkisë: Brenda dy ditësh furnizim normal
Prej ditës së djeshme ka nisur puna për riparimin e ujësjellësit të Mirditës, i cili u dëmtua si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm që ranë në fillim të muajit dhjetor, të shoqëruar me gërryerje të mëdha të tokës. Si pasojë e kësaj situate, qyteti i Rrëshenit dhe disa fshatra të kësaj bashkie mbetën pa furnizim me ujë të pijshëm, pasi tubacionet u dëmtuan në një territor të vështirë dhe me akses të kufizuar.
Për riparimin e defektit, Bashkia Mirditë ka angazhuar mjete të rënda dhe fuqi punëtore në bashkëpunim me Drejtorinë e SHA Ujësjellës-Kanalizime, ndërsa ndërhyrja po mbështetet edhe nga manovratorë privatë.
Kreu i Bashkisë Mirditë, Albert Melyshi, tha se pavarësisht vështirësive të terrenit, puna po vijon me intensitet dhe se brenda dy ditësh ujësjellësi pritet të rikthehet plotësisht në funksion, duke garantuar furnizimin normal me ujë të pijshëm për banorët.
“Prej disa ditësh, si pasojë e reshjeve të shiut është dëmtuar kolona kryesore e linjës së ujësjellësit të Mirditës, Rrëshenit që përfshin një numër të madh fshatrash që furnizohen me ujë në atë linjë. Bashkia në bashkëpunim me ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve po merren prej disa ditësh për ta riparuar. Terreni është shumë i vështirë dhe do duheshin mjete dhe bashkëpunim me sektorin privat. Lartësia nga rruga e Kombin është afërsisht 1000 metra dhe do duhet të ngjitesh në një terren shumë të vështirë. Aty bashkë me manovratorë, po e riparojnë, po e saldojnë dhe besoj se brenda 2 ditësh do furnizohet normalisht gjithë zona me ujë të pijshëm”, deklaroi Melyshi.
Dëmtimi i ujësjellësit la pa ujë të pijshëm rreth 7 mijë banorë. Për qytetin e Rrëshenit është siguruar një zgjidhje provizore me furnizim të kufizuar në orare të caktuara, ndërsa për rreth 10 fshatra furnizimi me ujë të pijshëm ende nuk ka qenë i mundur.
/RTSH/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




