Nis sesioni i ri parlamentar, PD bllokon Foltoren

Politikë | 10 muaj më parë

Sesioni i ri parlamentar i vitit 2026 ka nisur me tensione. Kuvendi i Shqipërisë çeli zyrtarisht punimet ditën e sotme. Qetësia në sallë zgjati vetëm gjatë minutave të ekzekutimit të himnit kombëtar. Menjëherë pas përfundimit të tij, deputetët e Partisë Demokratike u ngritën nga vendet e tyre dhe rrethuan Foltoren e Parlamentit.

Pavarësisht bllokadës dhe zhurmës së vazhdueshme të krijuar nga ligjvënësit e opozitës, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, zgjodhi të mos e ndërpresë seancën. Ai e mbajti fjalën e tij hapëse nga vendi i drejtuesit të seancës, ndërsa deputetët e opozitës vijonin aksionin e tyre në këmbë përpara tij.

Peleshi theksoi në fjalën e tij se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re historike, duke kaluar nga procesi i integrimit në atë konkret të anëtarësimit. Ai vendosi një afat kohor ambicioz për mbylljen e bisedimeve me Brukselin.

“Objektivi ynë është i qartë: mbyllja e negociatave teknike në vitin 2027. Na pret një volum i madh pune, është privilegj dhe përgjegjësi ta afrojmë Shqipërinë me Europën,” tha Peleshi, duke shtuar se ky proces kërkon domosdoshmërisht konsensus të gjerë politik.

Kryetari i Kuvendit bëri një thirrje të drejtpërdrejtë për ndryshimin e sjelljes parlamentare, duke e cilësuar etikën si kusht për një vend që aspiron BE-në.

“Kuvendi duhet të jetë më europian në etikë,” theksoi ai, duke u zotuar se do të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e tij me paanësi të plotë.

Gjithashtu, në fjalën e tij hapëse, Peleshi rikonfirmoi mbështetjen e legjislativit ndaj organeve të reja të drejtësisë, duke e cilësuar atë si “të palëkundur”. Ai nënvizoi se ky sesion do të karakterizohet nga një mbikëqyrje më e fortë parlamentare dhe një transparencë më e madhe, duke premtuar një “Kuvend të hapur 24/7”.

Në pamundësi për të zhvilluar seancë normale, Peleshi hodhi për votim kalendarin e punimeve të Kuvendit.

Ky kalendar u miratua me votat e mazhorancës. Më herët ishte bërë e ditur se në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve nuk ishte arritur konsensus midis palëve për agjendën e javëve në vijim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme