Nis sot nga puna Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në rend dite, numri i ekspertëve teknikë dhe mbështetja e OSBE/ODIHR dhe “Venecias”

Politikë | 12 muaj më parë

Nis këtë të martë (18 nëntor) punën Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Në rendin e ditës së mbledhjes së parë të këtij komisioni do të jetë konstituimi i tij, përcaktimi i numrit të ekspertëve teknikë që do të asistojnë komisionin, si dhe kërkesa për mbështetje teknike nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias.

Kujtojmë se Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore bashkoi mazhorancë-opozitë, të cilat votuan në Kuvend me 113 vota pro ngritjes së tij.

Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore përbëhet nga 16 anëtarë, mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, ndërsa mundësi për të dhënë propozime do të kenë edhe partitë e reja të Kuvendit të dala nga zgjedhjet e 11 majit 2025, “Shqipëria bëhet” dhe “Lëvizja Bashkë”, por nuk do të kenë të drejtë vote.

Ky komisioni ngrihet mbi parimin e barazisë mes pozitës dhe opozitës, me 16 anëtarë gjithsej: 7 nga PS-ja, 7 nga PD-ja dhe 2 nga partitë që kanë siguruar të paktën dy mandate në zgjedhjet parlamentare të 2025-ës. Përmes një marrëveshjeje të arritur mes dy partive kryesore më herët, PS-ja i ka liruar një vend PSD-së, ndërsa PD-ja ia liroi vendin Agron Shehajt. Drejtimi do të jetë bipartizan, me nga një bashkëkryetar nga socialistët dhe demokratët.

Komisioni do të fokusohet në hartimin e ndryshimeve ligjore për Reformën Zgjedhore, adresimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ato parlamentare të 11 majit 2025, si edhe zgjedhjet e mëparshme që nuk janë trajtuar. Gjithashtu, pritet të hartohet një ligj i posaçëm për financimin e partive politike.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme