Tetë të vrarë dhe disa të plagosur nga të shtënat me armë në një shkollë në Tajlandë

Të paktën tetë persona u vranë dhe disa të tjerë u plagosën pas të shtënave me armë në një shkollë në Tajlandë, raportuan mediat lokale të premten.
Sipas Reuters, raportet paraprake të autoriteteve dhe ekipeve të shpëtimit tregojnë se dy persona kanë humbur jetën, ndërsa 15 të tjerë janë plagosur. Njëri nga të lënduarit ndodhet në gjendje kritike.
Ngjarja ndodhi në shkollën Debsirin Nonthaburi, një institucion i njohur arsimor me rreth 3 mijë nxënës, i vendosur në distriktin Bang Kruai, në veri të Bangkokut.
Fondacioni tajlandez i shpëtimit Poh Teck Tung bëri të ditur se policia ka nisur menjëherë evakuimin e nxënësve dhe stafit nga objekti.
“Oficerët po evakuojnë urgjentisht studentët nga zona”, thuhet në deklaratën e fondacionit.
Sipas nënkolonelit Dechrapee Kongdee, komandant i Policisë Provinciale të Nonthaburi, autori i dyshuar, i identifikuar si një student i shkollës, vrau veten pas sulmit.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur motivet e ngjarjes, ndërsa zona është rrethuar nga forca të shumta policore.
Tajlanda ka përjetuar disa incidente të rënda me armë në vitet e fundit. Sipas Institutit për Metrikat dhe Vlerësimin e Shëndetit (IHME), vendi renditet i dyti në Azinë Juglindore për numrin e vrasjeve me armë, pas Filipineve.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




