Njohja e pensioneve, Shqipëria dhe Sllovenia mbyllin negociatat, çfarë përfitojnë emigrantët

Shqipëria dhe Sllovenia kanë hedhur hapin vendimtar drejt njohjes reciproke të pensioneve dhe të drejtave të punësimit. Pas negociatave intensive të zhvilluara në Tiranë nga data 2 deri më 4 shkurt, të dyja palët kanë përmbyllur me sukses raundin e dytë dhe të fundit, duke bërë të mundur parafirmosjen e marrëveshjes.
Lajmi u bë i ditur nga Zëvendësministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Olta Manjani, e cila kryesoi delegacionin shqiptar. Ajo theksoi se dokumenti i dakordësuar me palën sllovene, të kryesuar nga Mojca Pršina Kumar, garanton mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve sipas standardeve të Bashkimit Evropian.
Çfarë përfitojnë qytetarët?
Kjo marrëveshje është një lajm i mirë për mijëra shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Slloveni, si dhe për qytetarët sllovenë në Shqipëri.
Përfitimi kryesor është bashkimi i periudhave kontributive. Kjo do të thotë se vitet e punës në njërin shtet nuk do të humbasin, por do të llogariten së bashku me vitet e punës në shtetin tjetër për efekt pensioni.
Në fushën e punësimit, marrëveshja siguron akses më të lehtë dhe trajtim të barabartë në tregun e punës të të dyja vendeve.
“Qytetarët do të përfitojnë nga bashkimi i periudhave kontributive, duke siguruar që vitet e punës të mos humbasin,” shkruan Manjani në rrjetet sociale.
Marrëveshja me Slloveninë i shtohet listës së gjatë të negociatave diplomatike në fushën e sigurimeve shoqërore. Që nga viti 2005, Shqipëria ka nënshkruar rreth 28 marrëveshje të tilla.

/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




