Nuk iu bashkua PD-së, Lapaj: S’është koha për të rritur partinë. Protesta jonë shkon përtej gardheve partiake
Prej 18 ditësh, Adriatik Lapaj dhe aktivistë të Lëvizjes Shqipëria Bëhet po protestojnë para kryeministrisë duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama. Megjithatë, ata nuk iu bashkuan protestës kombëtare të PD-së të zhvilluar më 22 dhjetor, duke u spostuar përkohësisht nga kryeministria. Në një intervistë për emisionin “Tema e Ditës” me Arbër Hitajn, Adriatik Lapaj, kryetar i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, ka sqaruar arsyet pse nuk iu bashkua protestës së Partisë Demokratike, duke theksuar se kauza e tij dhe e aktivistëve të lëvizjes është më e gjerë se një protestë partiake.
“Lëvizja Shqipëria Bëhet si parti politike nuk është duke zhvilluar asnjë protestë. Protesta që unë jam i angazhuar, aktivistë të Lëvizjes Shqipëria Bëhet janë bashkuar apo qytetarë është një protestë që shkon përtej gardhit të partisë sonë. Ne nuk kërkojmë monopolin e protestës politikisht. E dyta për të mos vendosur asnjë gardh ndaj palëve të tjera duke i lënë të gjithëve mundësinë për të qenë këtu dhe për t’u angazhuar si qytetarë”, tha Lapaj.
Sipas tij, momenti aktual nuk është për rritjen e partive apo për fitoren e pushtetit, por për çlirimin e vendit.
“PD duhet të kuptojë që koha për të rritur partinë apo për të fituar qeverinë nuk është tani. Tani është momenti që na duhet të çlirojmë Shqipërinë. Na duhet të krijojmë një forcë të madhe popullore që shkon përtej gardhit të një partie apo një tjetre,” u shpreh ai.
Lapaj theksoi se asnjë parti opozitare nuk ka sot numrat për të krijuar masivitetin e nevojshëm përballë qeverisë. Për këtë arsye, sipas tij, duhet të bjerë “çdo gardh partiak” dhe qytetarët të bashkohen në një fuzion të madh popullor.
“Ky shesh nuk është i imi, kjo kauzë nuk është e imja. Ju them të gjithëve ejani masivisht dhe në një moment kur të masivizohet unë jam i gatshëm të bëj një hap pas dhe të krijohet një komitet qytetar për të imponuar dorëheqjen e Edi Ramës dhe një qeveri tranzitore me një mandat 12 mujor, e përbërë nga intelektualët më të mirë brenda dhe jashtë vendit, për të përgatitur vendin për zgjedhje të lira dhe demokratike,” deklaroi ai.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




