Operacioni “FAST”/ Arrestohet në Durrës 23-vjeçari i kërkuar në Itali për trafik droge
Një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “FAST” është finalizuar nga Policia e Shtetit, duke çuar në kapjen në Durrës të një personi të kërkuar nga autoritetet italiane për pjesëmarrje në një grup kriminal të përfshirë në trafikun e narkotikëve.
Sipas njoftimit zyrtar, operacioni u zhvillua nga Sektori për Kërkimin (FAST Albania) në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe me mbështetjen e shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.
Gjatë operacionit u lokalizua dhe u arrestua përkohësisht, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, shtetasi L. B., 23 vjeç.
I riu ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Breshias, Itali, në mars të vitit 2026 kishte lëshuar urdhër arresti ndaj tij për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike”, sipas Kodit Penal italian.
Autoritetet shqiptare dhe ato italiane vijojnë bashkëpunimin për përfundimin e procedurave ligjore për ekstradimin e 23-vjeçarit drejt Italisë, ku ai do të përballet me akuzat e ngritura ndaj tij.
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




