Operacioni “Target”, arrestohet në Elbasan anëtari i grupit kriminal të dënuar nga GJKKO për trafik droge

Aktualitet | 8 muaj më parë

Strukturat operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Forcën Speciale “Shqiponja”, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar “Target”, duke vënë në pranga një person të shpallur në kërkim për trafikim dhe prodhim të lëndëve narkotike.

Në pranga ka rënë shtetasi Valmir Polisi, 37 vjeç. Lokalizimi i tij u bë i mundur pas sigurimit të informacioneve nga inteligjenca policore, të cilat tregonin se i kërkuari fshihej në një zonë të thellë malore të fshatit Pishkash. Gjatë ndërhyrjes së forcave të rendit, 37-vjeçari ka pikasur praninë e uniformave blu dhe ka tentuar të largohet për t’iu shmangur arrestimit, por është neutralizuar menjëherë falë organizimit dhe rrethimit të shpejtë të zonës nga shërbimet policore.

Dënimi nga drejtësia e posaçme

Valmir Polisi ishte një person i shpallur në kërkim me rrezikshmëri të lartë, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) e kishte dënuar me 9 vjet e 4 muaj burg. Ai është shpallur fajtor për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, të cilat provohet se i ka kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Nga vendimi përfundimtar i dhënë nga drejtësia, 37-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur pas hekurave edhe 4 vjet, 7 muaj e 18 ditë burg. Policia bëri me dije se, pas përfundimit të procedurave procedurale nga DVP Elbasan, shtetasi i arrestuar do t’i dorëzohet Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të vijuar me ekzekutimin e dënimit të mbetur.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme