Orkestra e RTSH drejt Kaninës, artistët bëjnë provat e fundit para koncertit të datës 31 gusht

Kulturë | 1 vit më parë

Pas disa ditë provash intensive në ambientet e RTSH-së, Orkestra e Radio Televizionit Shqiptar udhëton sot drejt Kaninës, aty ku më 31 gusht do të mbahet koncerti i shumëpritur.

Tashmë muzikantët do të zhvillojnë provat e fundit në skenë përkrah artistëve që do të ndajnë emocione të rralla me publikun shqiptar në këtë mbrëmje të veçantë.

“Unë e kam për herë të parë të luaj me Ermonela Jahon. Fat i madh! Gjithashtu e kam për herë të parë edhe kalanë e Kaninës. Kemi bërë shumë prova. Hap shumë i madh që RTSH-ja, drejtuesit e saj, e morën përsipër këtë bashkëpunim. Është hera e parë që jemi me Orkestrën Simfonike dhe i uroj shumë suksese, dhe të kënaqemi!” thotë violinistja Viola Baholli.

Programi i mbrëmjes do të sjellë një udhëtim muzikor plot ndjesi, ku përkrah Orkestrës së RTSH do të interpretojnë sopranoja me famë botërore Ermonela Jaho, tenori i njohur Saimir Pirgu dhe aktori i shquar Timo Flloko, ndërsa të ftuarit specialë do të shtojnë më tej magjinë e këtij eventi unik.

Më 31 gusht, Vlora do të kthehet në kryeqendrën e artit. Kalaja e Kaninës do të presë një natë të jashtëzakonshme, ku muzika, historia dhe arti do të bashkohen në një skenë mesdhetare unike.

Gazetare: Katerina Kule

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme