Orkestra Simfonike e RTSH koncert më 9 maj, vepra nga kompozitorë shqiptarë dhe të huaj
Nën drejtimin e dirigjentit Eno Koço, Orkestra Simfonike e RTSH-së do të vijë me koncertin e radhës, me një program të pasur me vepra të kompozitorëve të huaj dhe atyre shqiptarë.
Simfonia Albanoi, një premierë botërore nga kompozitori Vasil Tole, është një nga veprat e këtij koncerti të veçantë.
“Është vërtet një koncert i veçantë që përfshin një dirigjent historik të muzikës shqiptare siç është maestro Eno Koço, një pianiste shumë të talentuar nga Kosova dhe një vepër të re siç është rasti i simfonisë sime, me katër kohë që quhet “Albanoi”. Vërtet është një fat do të thoja që në mënyrë të veçantë sa i përket interpretimit të muzikës dhe krijimtarisë bashkëkohore shqiptare kemi Orkestrën Simfonike të RTSH-së dhe ja ku është prova më e mirë që Orkestra bën, jo vetëm në interpretimin e veprave më të shquara të literaturës së shquar botërore, por edhe të krijimtarisë më të re bashkëkohore shqiptare”, tha kompozitori Vasil Tole.
Koncerti për piano dhe orkestër nr. 2 nga Dimitri Shostakoviç do të vijojë programin e koncertit.
“Vepra kryesore është e Vasil Toles, një simfoni me përmasa të mëdha. Koncerti është i Shostakoviç, për piano nr. 2 që luan një pianiste shumë e mirë kosovare. Koncerti është i njohur dhe i luajtur nga të gjithë instrumentalistët e mëdhenj të botës”, tha dirigjenti Eno Koço.
Solistja në këtë koncert është pianistja nga Kosova Artemida Qarri, e cila performon për herë të parë me orkestrën e RTSH-së.
“Është hera e parë që do të performoj me Orkestrën e RTSH-së. Fizikisht, pasi emocionalisht jam e lidhur më herët me orkestrën shqiptare”, tha Qarri.
Koncerti do të vijë në datën 9 maj në orën 19:00 në Qendrën Kulturore të Kishës Ortodokse në Tiranë.
Gazetare: Xhilda Kondi
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




