OSBE dhe Ministria e Drejtësisë nisin fushatën “S’ka Shkurt” për ndërgjegjësimin e të rinjve, Tarran: Suksesi s’ndërtohet përmes rrugëve të shkurtra

Aktualitet | 8 muaj më parë

Ambasadori i OSBE në Shqipëri, Michel Tarran mori pjesë në prezantimin e fushatës “S’ka Shkurt”, një nismë e kryer  në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë, që synon ndërgjegjësimin e të rinjve për rreziqet e përfshirjes në paligjshmëri dhe krim.

Gjatë fjalës së tij, Tarran theksoi se kjo fushatë ka në fokus mbrojtjen e të rinjve dhe investimin në të ardhmen e tyre. Ai nënvizoi se në të gjithë rajonin po vihet re një prirje shqetësuese e përfshirjes së grupmoshave gjithnjë e më të reja në veprimtari kriminale.

Sipas ambasadorit, grupet e krimit të organizuar synojnë të rinjtë, shpesh duke i shfrytëzuar ata për të shmangur ndjekjen penale. Për këtë arsye, fushata “S’ka Shkurt” synon të krijojë një kundër-narrativë të besueshme, duke demaskuar premtimet e rreme për sukses të shpejtë dhe duke theksuar se arritjet ndërtohen përmes përpjekjes, këmbënguljes dhe integritetit.

“Kjo fushatë pasqyron angazhimin tonë për të mbrojtur të rinjtë dhe për të investuar  në të ardhmen e tyre. Ky aktivitet vjen në një moment shumë të përshtatshëm. Në të gjithë rajonin po vëmë re se të rinjtë po përfshihen në veprimtare kriminale në moshë gjithnjë e më të re. Grupet e krimit të organizuar synojnë të rinjtë, shpesh duke i shfrytëzuar ata për të shmangur ndjekjen penale. OSBE është krenare që bashkëpunon me Ministrinë e Drejtësisë për tju përgjigjur kësaj sfide përmes fushatës ‘s’ka shkurt’. Qëllimi është i qartë, krijimi i një kundër narrative të besueshme. Fushatat demaskon premtimet e rreme, tregon se suksesi ndërtohet përmes përpjekjes, këmbënguljes dhe integritetit, jo përmes rrugëve të shkurtra. Presim shtrirjen e kësaj fushate në platformat kryesore të rrjeteve sociale në Shqipëri dhe arritjen e saj në audiencat e reja në mbar vendin”, tha Tarran.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme