OSBE përshëndet ndryshimet ligjore: Hapet rruga për transparencën e pronarëve të mediave

Aktualitet | 9 muaj më parë

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka mirëpritur zyrtarisht miratimin e ndryshimeve të fundit në Ligjin për Mediat Audiovizive, duke i cilësuar ato si një hap thelbësor drejt standardeve evropiane.

Në një deklaratë për mediat, OSBE vuri theksin veçanërisht te futja e nenit 33/1, i cili sanksionon rregulla të reja mbi transparencën e pronësisë së mediave. Sipas organizatës, ky ndryshim ligjor pritet të forcojë ndjeshëm llogaridhënien në sektorin audioviziv shqiptar.

Ndryshimet e reja parashikojnë krijimin e një databaze kombëtare për pronësinë mediatike, një mekanizëm ky që synon të bëjë publike strukturën e vërtetë të pronësisë. Gjithashtu, rriten kërkesat për transparencë dhe sigurohet përputhja me ligjin për “pronarët përfitues”, ata që zotërojnë realisht median.

“Këto ndryshime përbëjnë një hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të transparencës dhe e afrojnë legjislacionin shqiptar me standardet evropiane,” thuhet në njoftim.

OSBE vëren se ligji i ri reflekton rekomandimet e tyre kyçe, të cilat janë rezultat i një bashkëpunimi të vazhdueshëm me Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA).

Në përmbyllje, Prezenca e OSBE-së inkurajoi institucionet shqiptare që të vazhdojnë përpjekjet për zbatimin efektiv të këtyre ndryshimeve në praktikë, duke ofruar mbështetjen e saj të plotë në këtë proces.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme