Osmani: Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare

Presidentja Vjosa Osmani ka deklaruar se Lidhja Shqiptare e Prizrenit ka qenë dhe mbetet themel i vetëdijes kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë.
Presidentja Osmani ka theksuar se më 10 qershor 1878, në kohët më të vështira për kombin tonë, në Prizrenin e historisë dhe dinjitetit, u mblodhën përfaqësuesit më të mençur e më të vendosur të katër vilajeteve për ta ngritur zërin e shqiptarëve në mbrojtje të trojeve dhe të drejtave tona.
“Lidhja Shqiptare e Prizrenit u bë themel i vetëdijes sonë kombëtare, testament i vullnetit për liri dhe paraprijëse e pavarësisë. Sot, 147 vite më vonë, nderojmë me përulje veprën e Abdyl Frashërit, Ymer Prizrenit, Sulejman Vokshit dhe të gjithë patriotëve të tjerë që e mbajtën gjallë idealin e një kombi të lirë dhe të barabartë në mes kombeve të Evropës”, ka thënë Osmani, duke uruar për 147 vjetorin e Lidhjes së Prizrenit.
Ndërkaq më herët, kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj e vlerësuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, si bazën për bashkim të shqiptarëve.
Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj theksoi rëndësinë historike dhe simbolike të kësaj date për kombin shqiptar, duke e konsideruar si themelin e lëvizjes për bashkim dhe pavarësi kombëtare
Begaj vuri në dukje se Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete të një kombi dhe se ecin përpara së bashku në rrugën drejt integrimit evropian.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




