“Mund t’i drejtohem Kushtetueses”, Osmani pas takimit me kryetarët e partive: Nuk ka zgjedhje të reja pa konstituim të Kuvendit

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar se mungesa e një Kuvendi funksional po rrezikon seriozisht parimin kushtetues të ndarjes dhe funksionimit të pushteteve.
Me një deklaratë pas takimit me katër liderët e partive politike, Albin Kurtin, Memli Krasniqin, Lumir Abdixhikun dhe Ramush Haradinajn, presidentja Osmani theksoi se ky është vetëm hapi i parë në një seri konsultimesh, që do të vazhdojnë edhe në formatet e tjera, përfshirë takime individuale me liderët politikë, nëse kjo shihet e nevojshme.
Ajo bëri të ditur se në takimin e sotëm janë ftuar fillimisht subjektet kryesore parlamentare dhe bartësit e koalicioneve, ndërsa në ditët në vijim do të takohen edhe liderët e partive të komuniteteve joshumicë, si dhe liderë të tjerë politikë sipas kërkesave.
E para e shtetit tha se moskonstituimi i Kuvendit mund t’i duket dikujt se dëmton vetëm politikanë apo parti të caktuara, megjithatë sipas saj, pasojat kryesore po i bart vendi dhe të gjithë qytetarët pa dallim.
“Kushtetuta e Kosovës ndër parimet themelore parasheh se parimi i ndarjes së pushteteve apo parimi i kontrollit dhe balancit është një ndër vlerat dhe parakushtet e funksionimit kushtetues të institucioneve dhe një ndër shtyllat që parashihet aty është edhe legjislativi. Me mungesën e Kuvendit funksional po rrezikohet ky parim kushtetues. Prandaj, edhe sot në takimin e parë i kam inkurajuar liderët e partive politike që në funksion të realizimit të këtij parimi kushtetues të gjejnë zgjidhje të përbashkët për konstituimin e Kuvendit, që përveçse do të siguronte funksionimin kushtetues të institucioneve, po ashtu do të hapte rrugë edhe për krijimin e qeverisë së re“, tha ajo.
Ajo bëri të qartë se këto nuk janë konsultime për formimin e qeverisë së re, pasi një proces i tillë u takon ekskluzivisht negociatave të partive politike.
“Më lejoni të sqaroj se ky është vetëm takimi i parë dhe nëse shihet e nevojshme do të takojë liderët e partive edhe individualisht për të vazhduar edhe me formate tjera sipas nevojës. Këto nuk janë konsultime për formimin e qeverisë së re sepse këto ekskluzivisht i takojnë negociatave të partive politike dhe institucioni i Presidentes nuk është institucion që përfaqëson ndonjë parti, por përkundrazi”, shtoi e para e shtetit.
Osmani tha se nuk e ka problem që bllokadën në Kuvend ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese, por tha se një gjë të tillë do ta shqyrtojë vetëm nëse procesi zvarritet edhe më shumë.
“Deri tani AAK ka kontestuar një vendim, por që lidhet me formën e votimit jo domosdo me proceset tjera. Mënyra tjetër është që unë si presidente të shfrytëzoj prerogativat kushtetuese dhe t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese. Sot ajo çfarë kam shprehur para liderëve, që nëse do të kishte pajtim edhe nga ana e tyre, unë nuk kam ndonjë problem që ta dërgoj këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese, nuk pati ndonjë kundërshtim nga asnjëri prej tyre. Megjithatë, ne do të presim nëse ditët në vijim do të rezultojnë me marrëveshje politike apo arritje të një marrëveshje më të gjerë për konstituimin e Kuvendit para se të procedojmë me diçka e tillë”, tha Osmani.
Sipas saj, dialogu konstruktiv është i domosdoshëm për vendin e për institucionet, që të shihet dhe të ndihet nga qytetarët, por edhe për imazhin e Kosovës. Ajo tha se në takimin e sotëm ka pasur një disponim minimal për konstruktivitet.
Në pyetjen e gazetarëve nëse u diskutua për shkuarjen në zgjedhje të reja, presidentja tha se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi.
“Sa i përket zgjedhjeve, të gjithë jemi pajtuar se Kushtetuta parasheh që zgjedhje mund të ketë në disa raste. Në qoftë se 2/3-tat e kuvendit vendosin dhe votojnë për shpërndarje të kuvendit, në qoftë se dështojmë në zgjedhjen e qeverisë dhe në qoftë se ka pastaj votë mosbesimi ndaj qeverisë. Këto janë opsionet. Për momentin pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet te asnjëra nga këto tri opsione. Pra edhe nëse partitë pajtohen mes vete për të shkuar në zgjedhje, fillimisht duhet të konstituohet kuvendi”, tha Osmani. /RTK
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




