Osmani shpërndan Kuvendin- LDK e mirëpret, PDK akuzoi Kurtin për ambicie të shfrenuar
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti nga Prekazi refuzoi të komentonte vendimin e presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e parlamentit, duke respektuar ceremoninë e homazheve në nderim të familjes Jashari në 28-vjetorin e Epopesë së UÇK-së.
Ndërkaq më herët, këshilltari i Kurtit, Jeton Zulfaj theksoi se Lëvizja Vetëvendosje e ka respektuar plotësisht Kushtetutën, pasi nxori dy kandidatë për të garuar për president.
Sipas tij ishin partitë opozitare Partia Demokratike dhe Lidhja Demokratike e Kosovës që refuzuan të dalin me kandidatët e tyre.
Sakaq kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku duke mbështetur dekretin e Osmanit për shpërndarje të Kuvendit, ndonëse u shpreh se zgjedhjet e reja nuk ishin alternativë e partisë së tij.
“Dështimi politik, bashkë me tendencat e rrezikshme të imponimit e improvizimit, nuk mund të prodhojnë as debate artificiale politike e as zvarritje procedurale që do ta shndërronin Republikën tonë në një vend pa norma dhe pa rregulla. Fatkeqësisht, oreksi për kapje një partiake të të gjitha posteve shtetërore parandaloi çdo kompromis, Tani vendimi i takon qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha Abdixhiku.
Sipas deputetes së PDK-së Vlora Çitaku, ambicia e shfrenuar e Lëvizjes Vetëvendosje për të vënë nën kontroll të gjitha institucionet po e çon vendin drejt zgjedhjeve të reja.
“Adresa e përgjegjësisë është e qartë, refuzimi i LVV-së për marrëveshje dhe për dialog të sinqertë politik. Është luftuar shumë dhe gjatë që qytetarët tanë të kenë të drejtën të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të jetojnë të lirë. Kjo liri dhe kjo Republikë nuk guxojnë të shpërdorohen”, tha Çitaku.
Më herët, ambasadorët e vendeve të QUNIT-it ishin në godinën e Qeverisë, ndërkohë që presidentja Vjosa Osmani shpalli dekretin për shpërbërjen e parlamentit.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




