Osmani takon liderët e partive, presidentja e Kosovës konsultohet për datën e zgjedhjeve vendore

Kosovë | 1 vit më parë

Kosova ka nisur konsultimet për zgjedhjet vendore, të cilat sipas Kushtetutës duhet të mbahen në vjeshtën e këtij viti.

Zyra e Presidentes Vjosa Osmani, pas takimit të saj me krerët e subjekteve politike, njoftoi se kryetarja e Shtetit dëgjoi qëndrimet dhe propozimet e subjekteve politike dhe do të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve lokale në ditët në vijim në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjet në fuqi.

“Nëse zgjedhjet shpallen nesër është mundësi që të mbahen me datat 5, 12 dhe 19 tetor. Këto ishin dy-tri datat që u përmenden më shumë,” tha Albulena Haxhiu, e cila përfaqëson Lëvizjen Vetëvendosje.

Ajo u shpreh se në takimin me presidenten u përmend edhe ideja që në të njëjtën datë me zgjedhjet lokale të mbahen edhe ato të parakohshme, nëse nuk arrihet zgjidhje për konstituimin e Kuvendit dhe krijimin e institucioneve.

Ndërsa për kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, është e vështirë që zgjedhjet e parakohshme dhe ato lokale të mbahen në të njëjtën datë. Sipas tij ka afate kushtetuese që duhet ndjekur. Ai deklaroi se partia e tij propozoi datat 12 ose 19 tetor për zgjedhjet lokale, ndërsa u shpreh kritik për mungesën e liderit të Vetëvendosjes në takim.

“Vetëm Albin Kurti dhe kreu i Listës Serbe, Zllatan Elek, e bojkotuan takimin e presidentes. Nuk po pretendoj që e ata kanë bërë marrëveshje, por vërtet lë shije të keqe kjo mungesë,” tha z. Krasniqi. 

AAK-ja propozoi 12 tetorin për mbajtjen e zgjedhjeve vendore. “Kjo datë është plotësisht në përputhje me afatet ligjore,” shkroi kreu i saj, Ramush Haradinaj, në rrjetin Facebook.

Në takim ishin të pranishëm edhe kryetari LDK-së, Lumir Abdixhiku, Faton Peci, bashkëkryetar i partisë “Guxo” dhe Mimoza Kusari-Lila, që drejton “Alternativën”.

Ftesën e presidentes e pranuan gjithashtu kreu i Nismës, Fatmir Limaj dhe përfaqësues të partive nga komunitetet në Kosovë, por jo Lista Serbe. 

Gazetare: Vjollca Zharri

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme