Osmani: Të ndalet katastrofa humanitare në Gazë. Fëmijët nuk fillojnë kurrë luftëra

Kosovë | 1 vit më parë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar në rrjetin social “X” mbi situatën e rëndë në Gaza, duke theksuar se fëmijët nuk nisin luftëra, por janë ata që vuajnë më shumë pasojat e tyre.

Ajo e ka cilësuar katastrofën humanitare në Gaza si zemërthyese, duke bërë thirrje për ndalimin e vuajtjes së civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve.

“Katastrofa humanitare në Gaza dhe vuajtjet e civilëve të pafajshëm, veçanërisht fëmijëve, është zemërthyes dhe duhet të marrë fund. Çdo fëmijë, çdo familje, pavarësisht kombësisë apo fesë, është e çmuar dhe duhet të mbrohet.”, ka shkruar Osmani.

Presidentja vuri në dukje se çdo jetë njerëzore është e çmuar, pavarësisht kombësisë apo fesë, dhe se mbrojtja e fëmijëve dhe familjeve duhet të jetë prioritet për të gjithë aktorët ndërkombëtarë.

Osmani ka shprehur mbështetjen e plotë për përpjekjet për armëpushim të ndërmjetësuara nga SHBA, Katari dhe Egjipti, si dhe për lirimin e menjëhershëm të pengjeve. Ajo theksoi nevojën urgjente për të garantuar akses në ushqim, ujë dhe ilaçe për më të cenueshmit.

““Kosova vazhdon të mbështesë përpjekjet ndërkombëtare për një të ardhme të drejtë, të qëndrueshme dhe paqësore për të dy popujt, izraelitët dhe palestinezët në dinjitet, siguri dhe respekt të ndërsjellë,” u shpreh Osmani, duke shtuar se çdo përpjekje duhet të bëhet për të parandaluar humbjen e mëtejshme të jetëve të pafajshme.”

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme