Pamje nga Pekini, protokoll i rreptë dhe spektakël diplomatik – Ja si po pritet Trump mes madhështisë dhe protokollit

Botë | 6 muaj më parë

Në diplomacinë e ngurtë dhe hierarkike të Kinës, protokolli dhe ceremonitë kanë një rëndësi të veçantë.

Pritja për Donald Trump po duket e ngrohtë dhe e menduar për ta kënaqur atë, duke reflektuar qasjen taktike të Pekinit ndaj një udhëheqësi amerikan të njohur për dashurinë ndaj pompozitetit. Megjithatë, nuk pritet të arrijë shkëlqimin e jashtëzakonshëm të ‘vizitës shtetërore plus’ që presidenti Xi Jinping i rezervoi Trumpit në vitin 2017.”

Pekini është veshur me flamuj amerikanë dhe masa të rrepta sigurie ndërsa kryeqyteti kinez përgatitet për vizitën e shumëpritur të presidentit amerikan Donald Trump këtë javë.

Imazhe të reja nga rrugët e qytetit tregojnë përgatitjet e autoriteteve kineze për një pritje ceremoniale, me elementë të protokollit që pritet të shoqërojnë ardhjen e Trumpit në samitin me presidentin Xi Jinping.

Të martën, Trump u nis nga Shtëpia e Bardhë drejt udhëtimit të tij në Azi, ku pritet të diskutojë me udhëheqësin kinez mbi çështje të ndjeshme si lufta me Iranin, tensionet tregtare dhe balancat e reja të fuqisë globale.

Megjithatë, para nisjes, ai deklaroi se nuk do të kishte nevojë të fliste gjatë për konfliktin me Xi, duke theksuar se “ne e kemi Iranin shumë nën kontroll”.

Vizita e Trumpit në Pekin vjen në një kohë kur marrëdhëniet SHBA–Kinë janë më të ftohta se në vitin 2017, kur Xi organizoi për Trump një “vizitë shtetërore plus” të paprecedentë, me spektakël ceremonial dhe gjeste të veçanta mikpritjeje.

Këtë herë, pritja duket më e thjeshtë dhe e përqendruar në bazat, por gjithsesi e mbushur me simbolikë diplomatike, pasi Kina e sheh protokollin si një mjet për të sinjalizuar favorizim ose mosmiratim.

Trump pritet të zbresë nga Air Force One mbi një tapet të kuq, të inspektojë rojet e nderit dhe të marrë një përshëndetje me 21 topa, ndërsa Xi do ta shoqërojë në një vizitë në Tempullin e Qiellit, një vend perandorak i trashëgimisë botërore ku dikur luteshin për të korra të bollshme.

Ky gjest i pazakontë tregon rëndësinë që Pekini i jep marrëdhënies me SHBA, pavarësisht skepticizmit dhe tensioneve të tanishme.

Samiti pritet të fokusohet në çështje të mëdha si tregtia globale, zinxhirët e furnizimit, kriza në Ngushticën e Hormuzit dhe roli i teknologjisë në sigurinë ndërkombëtare.

Përgatitjet e Pekinit dhe mënyra se si Trump do të pritet do të jenë një tregues i qartë i dinamikës së re mes dy superfuqive, ku spektakli ceremonial shërben si fasadë për një dialog të vështirë mbi sfidat globale.

  • /rtsh.al/


    Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

    Komentet 0

    Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

    Të ngjashme