Papa Leo XIV bën thirrje për “dialog dhe diplomaci” mes SHBA-së dhe Iranit

Papa Leo XIV ka reaguar ndaj raundit të ri të goditjeve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, duke shprehur shqetësim të thellë për situatën në Lindjen e Mesme dhe duke ritheksuar nevojën urgjente për dialog dhe diplomaci si rrugën e vetme drejt paqes.
Në një postim në platformën ‘X’, Pontifiku shkroi se “era e luftës po mbjell dhunë, terror dhe vdekje” në Lindjen e Mesme, Ukrainë dhe më gjerë. Ai shprehu keqardhje për viktimat civile dhe pasojat humanitare të konfliktit që po vazhdon.
“Jam shpresëplotë që të vazhdojmë në rrugën e dialogut, takimit dhe diplomacisë. Ky është i vetmi rrugëtim që mund të çojë në një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme, në të cilën popujt mund të jetojnë në pajtim, siguri reciproke dhe respekt për dinjitetin e çdo personi”, theksoi Papa Leo XIV.
Deklarata e Papës vjen në një moment tensioni të lartë në rajon, pas goditjeve të ripërtërira mes forcave amerikane, izraelite dhe iraniane.
Konflikti ka shkaktuar viktima të shumta, dëmtime në infrastrukturë kritike dhe frikë nga një përshkallëzim më i gjerë që mund të përfshijë aktorë të tjerë rajonalë.
Papa Leo XIV, i cili ka bërë thirrje të përsëritura për paqe që nga fillimi i përshkallëzimit, ka dënuar më herët logjikën e hakmarrjes dhe kërcënimeve reciproke.
Ai ka paralajmëruar se stabiliteti dhe paqja nuk ndërtohen me bomba apo kërcënime ushtarake, por vetëm përmes negociatave të durueshme dhe respektit reciprok.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




