“Paraja rrëfen në Gjirokastër”, interes i lartë edhe nga vizitorët e qytetit të gurtë

Kulturë | 6 muaj më parë

“Paraja rrëfen,100 vjet jetë dhe ngjarje, Banka e Shqipërisë” kështu u titullua ekspozita historike që për 5 ditë u mbajt e hapur në kalanë e Gjirokastrës.

Përmes saj u përcoll  historia e bankës qendrore dhe e monedhës shqiptare, të cilat erdhën përmes objekteve numizmatike dhe muzeale, dokumenteve arkivore, fotografive, materialeve filmike dhe atyre shpjeguese.

Që prej së hënës e deri të premten ky organizim mori vëmendjen e shumë vizitorëve vendas e të huaj.

“Këto ditë kanë qenë shumë të bukura për ne, impenjative, por na kanë dhënë një satisfaksion të madh, sepse kemi parë interesin e brezit të ri, kemi pasur shumë shkolla që kemi ftuar, që kanë ardhur, kanë vizituar shumë fëmijë që donin të dinin, ishin shumë të interesuar për faza të ndryshme që kalon leku, paraja”, u shpreh Bujana Sokoli, Punonjëse e Bankës së Shqipërisë.

“Më duket shumë e bukur kjo ndërthurja jo vetëm e parasë, historikut të ekonomisë shqiptare, të parasë dhe zhvillimit të saj ndër vite, por edhe pjesa historike e të gjithë fazave dhe etapave që ka kaluar Shqipëria në 100 vjet ose dhe më shumë se 100 vjet më parë. Kemi pasur shumë vizitorë të huaj, që kanë një interes të jashtëzakonshëm edhe për të marrë vesh historikun e Bankës së Shqipërisë dhe faza në të cilat ka kaluar kjo histori”, tha Edlira Hoxha, Punonjëse e Bankës së Shqipërisë.

Kjo ekspozitë u organizua në kuadër të dy përvjetorëve të rëndësishëm për historinë e vendit 100 vjetorin e bankës qendrore dhe 100 vjetorin e emetimit të parë të monedhës kombëtare duke u përqendruar në rolin e parasë dhe të institucionit të bankës qendrore në zhvillimet ekonomike politike ndërkombëtare dhe shoqërore të Shqipërisë ndër dekada.

Gazetare: Y. Ponde

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme