“Pas Rrugës së Arbrit mandatin e katërt bëjmë rrugën Burrel-Ulëz”, Rama: Edhe 9 ditë nga takimi me historinë

Zgjedhje 2025 | 2 vite më parë

Në një takim elektoral në qytetin e Burrelit, kryeministri Edi Rama prezantoi investimet 10-vjeçare në qarkun e Dibrës, ku veçoi Rrugën e Arbrit.

Teksa shpjegoi shifrat ekonomike në 12 vite qeverisje të Partisë Socialiste, ai iu referua statistikave ndërkombëtare për të kujtuar qeverinë paraardhëse Berisha deri në vitin 2013 dhe “gropën ekonomike” që i la nga borxhet dhe investimet e pakryera.

“Mbetën edhe shkollat pa shkumësa se nuk jepnin lekët për kreditorët. Shikoni kreditë e këqija. Dhanë tendera e rrugë, duke ua thënë se ua kemi borxh, do ua japim, nisni ju punimet se ua japim ne më vonë paratë dhe arritëm këtu. Bënin miliona euro, merrnin 100 mijë euro dhe thoshin të tjerat më pas dhe lanë këtë gropë. E lanë këtë humnerë, me borxhe dhe vota e 2013 nga ju e shpëtoi këtë vend.“

Rama komentoi sërish kontratën e PD-së për lobimin në SHBA, duke u shprehur: “Ne nuk kishim parë gjë akoma. Tani ka dalë bufi dhe thotë 7×7, 6 milionë. E keni dëgjuar. Aq bëjnë po nuk janë të miat. Po të kujt janë? Të patriotëve. Janë disa patriotë që nuk i njoh, por jua ka le në zemër që të luftojnë për Shqipërinë. Të hedhin 6 milionë, por garant duan Partinë Demokratike. Megjithatë, kjo është histori më vete. Është një dardhë që ka një bisht shumë të gjatë që do dalë mbrapa, jam i sigurt për këtë.”

Duke kujtuar zgjedhjet në datën 11 maj, Rama tha se vetëm 9 ditë larg ështtë “takimi me historinë”.

“Jemi vetëm 9 ditë larg nga takimi me historinë në kuptimin e vërtetë të fjalës dhe jam realisht shumë i lehtësuar për faktin që nuk po bëjmë një tjetër fushatë duke premtuar se do të mbarojë Rruga e Arbrit, por po bëjmë një fushatë duke ardhur nga Rruga e Arbrit. Na kanë trajtuar si milet i dorës së dytë, edhe pse jemi ndër popujt më të vjetër të Europës, e tani jemi te dera e BE-së. Më 11 maj të derdhemi te kutitë e votimit, i bëj thirrje të gjithëve, e në veçanti gratë e vajzat . Por a mund ta lësh fatin e Shqipërisë në lojën e dominove?” tha Rama.

Në këtë kontekst ai shtoi se, “unë jam i lehtësuar që nuk po bëjmë tjetër fushatë duke vazhduar të themi se do bëjmë Rrugën e Arbrit, por po bëjmë fushatën duke ardhur nga Rruga e Arbrit,  Unë them se ka qenë dibran ai që ka thënë se “oreksi vjen duke ngrënë”. Kjo rrugë sjell jo vetëm lehtësim të lidhjes së njerëzve me Tiranën, por hap edhe horizont krejt të ri për investimet në turizëm. Në dekadën e ardhshëm Dibra do jetë pjesa më e lakmuar e metropolit të Shqipërisë dhe akseset në pikat më të bukura janë të domosdoshme. Jemi në proces dhe me ndihmën e Zotit shpresoj që deri në fund të vitit të arrijmë edhe rrugën e Lurës. E di që ka konkurrencë të brendshme mes Dibranëve dhe Matjanëve, pasi sa herë i them ndonjë gjë për dibranët nuk ka duartrokitje të nxehta, por mos u mërzisni se do bëhet edhe rruga e Lurës, edhe ajo e Burrelit me Ulzën. Zonë shumë e bukur dhe tani që vihet më lehtë, e do transformohet, ku do lehtësojë edhe mundësinë e investimeve të tjera”, tha Rama.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme