Pasioni për bletarinë – Anastas dhe Aleksandra Çano 85 e 75 vjeç sot kujdesen për 11 koshere

Sociale | 8 muaj më parë

Në fshatin Stegopul, pjesë e Bashkisë së Libohovës, Anastas Çano, 85 vjeç, dhe Aleksandra Çano, 75 vjeç, kanë zgjedhur që edhe në një moshë të thyer të vazhdojnë traditën e hershme familjare të bletarisë.

Prej vitesh ata janë kujdesur për kosheret me bletë, duke e kthyer këtë zanat në pjesë të pandarë të jetës së tyre. Dikur përkujdeseshin për një numër më të madh kosheresh, ndërsa sot, për shkak të moshës, mbajnë rreth 11 të tilla. Megjithatë, përkushtimi dhe dashuria për bletarinë mbeten të njëjta.

Ata tregojnë se bletaria është një zanat i bukur dhe i dobishëm, që kërkon durim dhe përkujdesje të vazhdueshme.

“Është shumë gjë e bukur të mëresh me bletë”, tha Aleksandra.

Përveç pasionit, dy të moshuarit sigurojnë edhe të ardhura nga shitja e produkteve të tyre, si mjalti dhe nënproduktet e tjera të bletës.

“Ne me këto bletë jemi mbajtur, përveç pensionit”, tha ajo.

Ata kanë edhe një këshillë për brezin e ri, t’i përkushtohet më shumë këtij zanati, i cili jo vetëm ruan një traditë të hershme, por ofron edhe mundësi të mira për të ardhura dhe punë të ndershme.

Gazetare B. Pëllumbi

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme