Pasivizimi i adresave, Sinani i fton shqiptarët në protestë në Medvegjë

Rajon | 2 vite më parë

Ardita Sinani, kryetare e Komunës së Preshevës, ka njoftuar për një protestë të shqiptarëve në Medvegjë të Luginës së Preshevës.

Më saktë, Sinani ka treguar se protesta do të mbahet para stacionit policor në Medvegjë për të kundërshtuar për pasivizimin e adresave.

Tutje, Sinani ka ftuar shqiptarët t’i bashkohen kësaj proteste.

“Në Medvegjë për të kërkuar drejtësi dhe për të rikthyer adresat e pasivizuara në mënyrë të padrejtë! Të mos lejojmë që qytetarët tanë të humbasin të drejtën për identitet dhe ekzistencë në vendin e tyre. Kjo protestë është një thirrje kundër diskriminimit dhe në mbrojtje të së drejtës së çdo shqiptari për të jetuar me dinjitet në vendlindje. Mos hesht! Bashkohu për identitetin dhe të ardhmen tonë!”, ka shkruar ajo.

Shqiptarët e Luginës së Preshevës së fundmi kanë protestuar kundër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj tyre nga autoritetet e Serbisë.

Javë më parë, Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë, shprehën shqetësimin për pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës nga autoritetet e Serbisë duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.

Sipas autoriteteve shqiptare në Luginë, deri më tani janë pasivizuar rreth 6.000 adresa në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë.

 

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme