PD, kërkesë zyrtare për shkarkimin e kryeparlamentarit Peleshi: “Shkeli Kushtetutën dhe Rregulloren”
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike ka zyrtarizuar kërkesën për shkarkimin e kryetarit të kuvendit Niko Peleshi me pretendimin se ka kryer 11 shkelje gjatë dy seancave plenare të mbajtura që pas zgjedhjes së tij në krye të parlamentit dhe përbërjes së qeverisë së re.
Në kërkesën drejtuar Këshillit të Legjislacionit, deputetët demokratë shprehen se kryeparlamentari Peleshi ka shkelur Rregulloren e Kuvendit jo vetëm me seancat plenare, por me përfshirjen në votim e miratim të akteve në Kuvend në kundërshtim me procedurën, si dhe me heqjen e të drejtës së opozitarëve për diskutim.
Po ashtu, deputetët nënshkrues të kërkesës deklarojnë se kreu i Kuvendit nuk mundësoi paraqitjen e programit të Qeverisë “Shqipëria 2030” dhe përbërjes së kabinetit të ri qeveritar, por gjithashtu nuk lejoi debatin parlamentar duke bllokuar të drejtën e fjalës ndaj deputetëve të PD-së.
“Ka kryer veprime aktive në kundërshtim të hapur me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, si dhe ka mohuar të drejtat e deputetëve të opozitës, duke treguar hapur njëanshmëri politike në drejtimin e organit më të rëndësishëm kushtetues – Kuvendit të Shqipërisë.
Kryetari i Kuvendit, me veprimet dhe mosveprimet e tij, në këtë periudhë të shkurtër të drejtimit të Kuvendit të Shqipërisë, ka dëshmuar mungesë të plotë të angazhimit për të ushtruar funksionin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendi, si dhe duke u sjell si një vartës i Kryeministrit, i cili mori de facto edhe drejtimin e seancës së datës 18.09.2025, herë duke urdhëruar kush do fliste, herë duke urdhëruar kush deputet do të fliste për procedurë dhe herë duke urdhëruar Kryetarin e Kuvendit për procedurën që duhet të ndiqte. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, lidhur me këto dy kërkesa, i ka parashtruar paraprakisht Kryetarit të Kuvendit se thirrja e mbledhjes së Kuvendit dhe njoftimi i saj pa kaluar as 24 orë nga zhvillimi i seancës plenare është në kundërshtim me nenin 78, pika 2, të Kushtetutës, ashtu si edhe nenin 27/1, pika 3, të Rregullores së Kuvendit. Kjo e fundit parashikon se thirrja e mbledhjes së Kuvendit dhe njoftimi i rendit të ditës bëhet publik si rregullt 7 ditë përpara, por jo më vonë se 2 ditë përpara datës së caktuar për seancën plenare. Në këtë kuptim, duke qenë një mbledhje e thirrur në kundërshtim me Rregulloren, ajo nuk mund të prodhojë asnjë pasojë. Po ashtu, lidhur me shqyrtimin e projektvendimit me procedurë të përshpejtuar, opozita ka sjellë në vëmendje se sipas nenit 83, pika 2, të Kushtetutës, ashtu edhe nenit 28, pika 4, të Rregullores, shqyrtimi nuk mund të fillojë pa kaluar një javë nga data e paraqitjes së kërkesës në seancë plenare. Megjithatë, kryetari i Kuvendit ka vijuar me hedhjen e dy kërkesave në votim dhe me shumicë votash është vendosur miratimi i tyre”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar të PD.
Seanca plenare e mbajtur një ditë më parë (18 shtator) pritej të zgjaste deri në 24 orë, por u mbyll brenda pak minutash me miratimin vetëm me votat e mazhorancës të programit të qeverisë dhe përbërjes së re të saj, pasi opozita bllokoi foltoren e Kuvendit, ndërsa hodhi në drejtim të ministrave dhe kryeministrit rregulloren e kuvendit dhe shishe me ujë.
Këto akte nga ana e opozitarëve, sollën përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit të kreut të grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi dhe deputetit Fidel Kreka. Vendimi u mor nga Komisioni i etikës, pas kërkesës së Partisë Socialiste për përjashtimin e tyre nga seancat plenare.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




