PD kërkoi heqjen nga rendi i ditës, mazhoranca rrëzon kërkesën për projektligjin e magjistratëve

Politikë | 44 minuta më parë

Kuvendi ka rrëzuar kërkesën e Partisë Demokratike për të hequr nga rendi i ditës projektligjin për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, që parashikon ndryshime lidhur me pagat e magjistratëve. Kërkesa e opozitës u hodh në votim në seancë plenare dhe u rrëzua me 36 vota pro dhe 79 kundër. PD-ja kërkoi që projektligji të mos shqyrtohej në seancën e sotme, por të kalonte për vlerësim në Këshillin për Legjislacionin. Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, gjatë fjalës së tij në Kuvend argumentoi se çështja e statusit të magjistratëve është e lidhur drejtpërdrejt me garantimin e pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Bardhi tha se kjo problematikë është mbartur prej shtatë vitesh dhe se për të janë dhënë tre vendime nga Gjykata Kushtetuese, ndërsa akuzoi mazhorancën se nuk ka zbatuar dy vendimet e mëparshme.

“Tërhiqni nga rendi i ditës këtë projektligj, sepse rrezikoni të shkelni përsëri Kushtetutën”, deklaroi Bardhi. Ai kërkoi që Kuvendi të marrë kohën e nevojshme për të diskutuar me organet e drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve, me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

Është e paimagjinueshme që sistemi i drejtësisë të jetë nën presionin e mazhorancës për shtatë vite”, tha kreu i grupit parlamentar të PD-së.

Nga ana tjetër, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, deklaroi se projektligji do të vijojë procedurën parlamentare dhe do të votohet. Balla tha se Këshilli për Legjislacionin e ka përfunduar detyrën e tij në mënyrë shembullore, duke kundërshtuar argumentin e opozitës për rikthimin e projektligjit për shqyrtim.

Ai iu referua edhe Gjykatës Kushtetuese, duke thënë se vendimi për çështjen në fjalë është marrë në mes të shkurtit, ndërsa është zbardhur në fund të prillit. Pas rrëzimit të kërkesës së PD-së, projektligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve mbetet në rendin e ditës së Kuvendit për shqyrtim dhe votim.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Të ngjashme