PD letër ambasadorëve: Seanca e sotme e kuvendit u delegjitimua, Rama po minon demokracinë

Partia Demokratike i është drejtuar me një letër misioneve diplomatike në Tiranë, pas zhvillimeve në Parlament, ku programi i qeverisë u miratua për 25 minuta pa debat, pasi opozita bllokoi foltoren dhe fjalimin e kryeministrit Edi Rama.
Në dokumentin e firmosur nga kreu i grupit parlamentar, Gazment Bardhi, PD e cilëson seancën plenare të paprecedentë në 35 vite pluralizëm, duke akuzuar Ramën dhe Kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi për shkelje të Kushtetutës dhe rregullores.
“Për herë të parë në 35 vitet e pluralizmit politik në Shqipëri, Kushtetuta, Rregullorja e Kuvendit dhe çdo normë e praktikës demokratike u shkelën në një mënyrë kaq flagrante dhe të dëmshme. Përmes veprimeve të papajtueshme me Kushtetutën dhe shkeljes së rregullores së brendshme të Kuvendit, të ndërmarra nga Kryetari i Kuvendit dhe kreu i shumicës parlamentare, debati politik i përfaqësuesve të qytetarëve u pengua qëllimisht, duke minuar rëndë demokracinë parlamentare dhe bashkëjetesën politike brenda institucioneve legjitime demokratike.
Si përfaqësues të qytetarëve shqiptarë në Kuvend, e ndjekim me shqetësim çdo ditë erosionin e autoritetit të institucioneve më të larta vendimmarrëse, Kuvendit të Shqipërisë, dhe përpjekjen për ta shndërruar atë në një zgjatim të Këshillit të Ministrave, duke eliminuar plotësisht mbikëqyrjen parlamentare mbi shumicën dhe ligjet që paraqiten për shqyrtim dhe miratim”, shkruhet në letër.
Sipas opozitës, fjalimi i Ramës u ndërpre në mënyrë të papërshtatshme për të shfaqur një video të ministres virtuale “Diella”, ndërsa shton se deputetëve të opozitës iu mohua e drejta për debat.
PD akuzon shumicën se po shndërron Kuvendin në “zgjatim të Këshillit të Ministrave” dhe se po eliminohet mbikëqyrja parlamentare. Në letër, opozita shpreh shqetësimin për rrezikun që i kanoset rendit kushtetues.
“Në përputhje me nenin 97 të Kushtetutës dhe në përputhje me nenin 110, paragrafi 2 i Rregullores së Kuvendit, deputetët e opozitës kërkuan disa herë që Kryetari i Kuvendit të lejonte Kryeministrin të vazhdonte fjalimin e tij, pas ndërprerjes së paprecedentë nga ana e tij për të prezantuar një mesazh video të inskenuar nga Ministria e “Inteligjencës Artificiale”.
Në të gjithë historinë e pluralizmit parlamentar shqiptar, fjalimi i Kryeministrit gjatë seancës plenare për miratimin e programit politik dhe përbërjen e qeverisë nuk është ndërprerë për asnjë arsye. Për më tepër, Kryetari i Kuvendit, në shkelje të nenit 48, paragrafi 1 të Rregullores së Kuvendit, nuk i drejtoi Kryeministrit Rama në kapacitetin e tij si deputet, kur ai largohej nga thelbi i çështjes, duke prezantuar një mesazh video të inskenuar nga një hamendës virtual, në një kohë kur ai duhej të vazhdonte pa ndërprerje prezantimin e programit politik.
Në kontekstin e mosveprimit të Kryetarit të Kuvendit dhe të shkeljeve të rënda të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, Kryetari i Kuvendit vendosi një precedent të rrezikshëm për këtë legjislaturë të re, duke krijuar standarde të dyfishta në dhënien e të drejtave procedurale. Z. Peleshi i dha dy herë radhazi të drejtën procedurale kryetarit të grupit parlamentar të shumicës, duke i mohuar të drejtat e tilla, të parashikuara nga neni 49 i Rregullores, kryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Kështu, në mënyrë të papajtueshme me Kushtetutën, Kryetari i Kuvendit miratoi një rend politik të ardhur nga Kryetari i grupit të shumicës duke mbyllur seancën plenare me miratimin e programit politik dhe kabinetit të ri qeveritar pa debat politik, në shkelje të nenit 97 të Kushtetutës dhe në shkelje të rënda të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit”, thuhet në letër.
Më herët në mbledhjen e PD, demokratët vendosën të kërkojnë përsëritjen e seancës plenare për prezantimin e programit qeverisës dhe për përbërjen e qeverisë, ndërsa i bënë thirrje Presidentit Bajram Begaj që të mos thërrasë për betim ministrat. Po ashtu, Bardhi tha se do të nisin procedurat për mocion shkarkimi ndaj kreut të Kuvendit, Niko Peleshi, me pretendimin se shkeli rregulloren e Kuvendit.
Kuvendi miratoi këtë të enjte (18 shtator) pa debat dhe vetëm me votat e mazhorancës programin qeverisës dhe kabinetin e ri qeveritar. Seanca, e cila zgjati vetëm 25 minuta, u shoqërua me tensione të forta, pasi opozita kontestoi një transmetim filmik të ministres virtuale “Diella” në Kuvend, duke bllokuar foltoren dhe duke mos e lejuar kryeministrin Rama që të vijonte më tej me prezantimin e programit qeverisës.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




