Përballimi i zjarreve në Mirditë, përmirësohet logjistika dhe shtohen burimet njerëzore për menaxhimin e situatave

Sociale | 5 muaj më parë

Si një ndër zonat me risk të lartë për zjarret gjatë stinës së verës, Mirdita ka shtuar kapacitetet njerëzore dhe logjistike për të përballuar çdo situatë emergjente që mund të krijohet.

Vëmendja kryesore do të përqendrohet përgjatë Rrugës së Kombit dhe në zonat urbane, ku do të stacionohen mjete zjarrfikëse dhe personeli i nevojshëm për ndërhyrje të shpejtë, tha Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Mirditë, Agim Lleshaj.

“Do fokusohemi gjatë rrugës së Kombit, ku aty do përqendrohet një grup shërbimi dhe në qytetin e Rrëshenit, kemi qytetin e Rubikut dhe qytetin i Repsit në Bashkinë Mirditë”, u shpreh Drejtor i Shërbimit Zjarrfikës, Mirditë.

Kryetari i Bashkisë Mirditë Albert Mëlyshi kërkoi angazhim maksimal nga të gjitha strukturat për t’u përballur me situatat që mund të krijohen gjatë muajve të verës.

“Të gjithë ne duhet të punojmë me komunitetin, të shpërndajmë informacione të rëndësishme, të dobishme. Kuptohet është një verë e nxehtë, ka filluar tashmë sezoni i verës”, tha Mëlyshi.

Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, vuri theksin te rëndësia e parandalimit dhe reagimit në kohë për të shmangur përhapjen e vatrave të zjarrit.

Vitet e fundit, numri më i madh i rasteve të zjarrit në Mirditë, është regjistruar në sipërfaqe pyjore, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme